Një instrument i ri garancie financiare, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe KfË, pritet të zgjerojë aksesin në financim për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri, përmes bashkëpunimit mes Fondit Besa dhe Fondacionit Shqiptar të Garancive për Zhvillim.
Marrëveshja synon të sjellë më shumë kredi për sipërmarrjet që kanë potencial zhvillimi, por që shpesh përballen me vështirësi në sigurimin e financimit për shkak të mungesës së kolateralit apo aksesit të kufizuar në kreditim tradicional. Përmes mekanizmit të garancisë, Fondi Besa do të ketë mundësi të financojë segmente të tregut që konsiderohen më të vështira për sistemin tradicional bankar, duke përfshirë bizneset në zonat rurale, startup-et dhe ndërmarrjet prodhuese.
Programi vjen në kuadër të “EU Guarantee Facility” dhe synon të rrisë kapacitetin e institucioneve financiare për të mbështetur biznese ekonomikisht të qëndrueshme, në një periudhë kur aksesi në financim mbetet një nga sfidat kryesore për zhvillimin e sektorit privat në Shqipëri. Garancia do të mbështesë financime të reja për biznese të regjistruara në Shqipëri, me më pak se 50 punonjës dhe xhiro vjetore deri në 2 milionë euro.
Skema parashikon disa linja financimi të dedikuara. Një pjesë e saj fokusohet në mbështetjen e MSME-ve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke krijuar mundësi financimi për biznese që kanë mungesë ose pamjaftueshmëri kolaterali. Financimet mund të përdoren si për investime afatgjata, ashtu edhe për kapital qarkullues, duke ndihmuar bizneset të rrisin kapacitetet operative dhe konkurrueshmërinë.
Një tjetër element i rëndësishëm i programit lidhet me bizneset e reja me më pak se 12 muaj aktivitet. Përmes kësaj linje synohet mbështetja e sipërmarrjeve në fazat e hershme të zhvillimit, duke financuar ide biznesi dhe plane investimi me potencial për krijim të ardhurash dhe vendeve të reja të punës.
Përmes këtij partneriteti, Fondi Besa dhe ADGF synojnë të krijojnë një model më gjithëpërfshirës financimi për bizneset shqiptare, në një kohë kur kërkesa për kapital mbetet e lartë, veçanërisht për sipërmarrjet e vogla që kanë vështirësi të plotësojnë kriteret standarde të kreditimit.
Sipas palëve, instrumenti i garancisë pritet të kontribuojë jo vetëm në rritjen e kreditimit për bizneset e vogla, por edhe në zhvillimin ekonomik lokal, forcimin e aktivitetit prodhues dhe krijimin e vendeve të reja të punës, sidomos në sektorët me potencial të lartë zhvillimi.
