Gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri, Presidentja e European Investment Bank (EIB), znj. Nadia Calviño, dhe Zv. Presidenti Robert de Groot, vizituan një nga bizneset partnere të ProCredit Bank Shqipëri, i cili është mbështetur përmes një prej programeve europiane që synojnë nxitjen e zhvillimit të bizneseve lokale. Gjatë kësaj vizite, drejtuesit e lartë të EIB u shoqëruan nga CEO i ProCredit Bank Shqipëri, z. Mirsad Haliti, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve financiare evropiane dhe bankave në mbështetje të ekonomisë vendase.
Në fokus të këtij bashkëpunimi është një linjë totale garancie prej 50 milionë euro, e vendosur në dispozicion të ProCredit Bank në kuadër të një skeme të mbështetur nga Bashkimi Evropian për zhvillimin e sektorit privat në rajon. Kjo skemë synon të rrisë aksesin e bizneseve shqiptare në financim, duke u ofruar atyre kushte më të favorshme kreditimi, fleksibilitet më të madh në kolateral dhe më shumë mundësi për investime afatgjata.
Vizita u zhvillua në një biznes vendas që ka përfituar financim për zhvillim dhe zgjerim aktiviteti, duke ilustruar drejtpërdrejt mënyrën se si mbështetja e EIB, e kanalizuar përmes ProCredit Bank, përkthehet në investime konkrete në ekonominë shqiptare – në teknologji, kapacitete prodhuese, eficiencë energjetike dhe krijim vendesh të reja pune.
ProCredit Bank ka një rol kyç në këtë proces, duke vepruar si partner afatgjatë i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në Shqipëri. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucione financiare ndërkombëtare dhe evropiane, si European Investment Bank, banka synon të sjellë më shumë instrumente financiare dhe mundësi zhvillimi për bizneset vendase, në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike.
Vizita e Presidentes së EIB konsiderohet gjithashtu si një konfirmim i impaktit konkret që këto programe financimi kanë në terren, duke treguar se si partneriteti mes institucioneve evropiane dhe një banke të specializuar si ProCredit Bank përkthehet në zhvillim real për bizneset shqiptare dhe ekonominë e vendit në tërësi.



