Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) i ka hequr licencën shoqërisë “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve” (QRA) sh.a., një nga institucionet më të hershme të tregut shqiptar të kapitalit, e krijuar që në vitin 1996 si shoqëri aksionare me shumicë shtetërore. Vendimi vjen në një moment kur vetë shoqëria ndodhet në procedura likuidimi, duke shënuar praktikisht fundin e aktivitetit të saj si regjistrar dhe depozitar qendror i titujve në tregun vendas.
Sipas vendimit nr. 66, datë 29.04.2026, Bordi i AMF vendosi “heqjen e licencës së shoqërisë ‘Qendra e Regjistrimit të Aksioneve’ sh.a., si regjistrar/depozitar qendror i titujve”. Vendimi mbështetet në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare” dhe në ligjin “Për tregjet e kapitalit”.
QRA ishte krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave në mars të vitit 1996, me objekt kryesor mbajtjen dhe administrimin e regjistrit të aksioneve të shoqërive aksionare, transferimin e pronësisë së aksioneve dhe përpunimin e të dhënave të aksionarëve. Në dokumentet e themelimit, shoqëria parashikohej si një strukturë shtetërore që do të garantonte regjistrimin e saktë të aksioneve, konfidencialitetin e aksionarëve dhe funksionimin teknik të proceseve që lidhen me tregun e kapitaleve.
Nga ekstrakti historik rezulton se shteti vazhdon të mbajë kontrollin mbi shoqërinë edhe sot, përmes Ministrisë së Ekonomisë, e cila zotëron rreth 84.9% të aksioneve. Ndërkohë, statusi aktual i subjektit në QKB rezulton “Shoqëri në Likuidim e Sipër”.
Procedurat për mbylljen e shoqërisë nisën në shkurt të këtij viti. Sipas dokumentacionit të siguruar nga Ekofin, Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve vendosi më 12 shkurt 2026 prishjen e shoqërisë dhe kalimin e saj në likuidim, si edhe emërimin e Aldi Radovanit si likuidator. Në të njëjtën kohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, si aksionari kryesor shtetëror, miratoi zyrtarisht procedurat për likuidimin dhe ngarkoi likuidatorin me kryerjen e të gjitha veprimeve ligjore për mbylljen e shoqërisë.
Të dhënat financiare tregojnë se QRA e mbylli vitin 2024 me humbje prej rreth 4.3 milionë lekësh, duke kaluar në rezultat negativ pas një viti pozitiv. Në vitin 2023, shoqëria kishte raportuar fitim prej rreth 1.8 milionë lekësh, sipas bilanceve të konsultuara nga Ekofin. Por në fakt, prej vitesh shoqëria praktikisht nuk kishte aktivitet, por thjesht paguante pagat për 7 punonjës dhe për anëtarët e këshillit mbikëqyrës.

Pas daljes së Qendrës së Regjistrimit të Aksioneve nga tregu, operatori i vetëm i licencuar për regjistrimin, klerimin dhe shlyerjen e titujve joqeveritarë në Shqipëri mbetet tashmë “Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG” sh.a. Shoqëria u licencua në vitin 2019 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare si regjistrari i parë privat në Shqipëri, ndërsa më pas mori edhe licencën nga Banka e Shqipërisë si operator sistemi për shlyerjen e titujve. Aktualisht, ALREG ushtron funksionet e depozitarit qendror për titujt joqeveritarë dhe ofron shërbime të pas-tregtimit në tregun shqiptar të kapitaleve, duke mbetur infrastruktura kryesore private në këtë segment. /ekofin.al

