Ndërsa familjet dhe ekonomitë në mbarë botën po përballen me pasojat financiare të luftës mes SHBA-Izraelit dhe Iranit, disa kompani po regjistrojnë fitime rekord nga kriza dhe paqëndrueshmëria globale.
Sipas një analize të publikuar nga BBC, tensionet në Lindjen e Mesme, rritja e çmimeve të energjisë dhe paqëndrueshmëria në tregjet financiare kanë krijuar mundësi të mëdha fitimi për kompani të caktuara në sektorët e energjisë, bankave, mbrojtjes dhe energjisë së rinovueshme.
Analiza thekson se konflikti dhe bllokimi efektiv i ngushticës së Hormuzit nga Irani kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke goditur buxhetet e familjeve, bizneseve dhe qeverive në shumë vende të botës. Megjithatë, për disa korporata globale, kjo situatë është kthyer në një periudhë fitimesh të jashtëzakonshme.
Gjigantët e naftës dhe gazit mes fituesve kryesorë
Sipas BBC-së, ndikimi më i madh ekonomik i luftës është reflektuar në tregjet e energjisë. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit global transportohet përmes ngushticës së Hormuzit, ndërsa ndërprerjet dhe pasiguria kanë shkaktuar luhatje të forta të çmimeve ndërkombëtare.
Kompanitë më të favorizuara kanë qenë gjigantët europianë të naftës dhe gazit, të cilët përfitojnë jo vetëm nga shitja e energjisë, por edhe nga aktivitetet e tregtimit në bursat ndërkombëtare.
BP raportoi fitime prej 3.2 miliardë dollarësh në tremujorin e parë të vitit 2026, më shumë se dyfishi i një viti më parë, falë performancës së fortë të sektorit të tregtimit të energjisë.
Ndërkohë, Shell tejkaloi pritshmëritë e tregut duke raportuar fitime prej 6.92 miliardë dollarësh, të nxitura nga rritja e çmimeve të naftës dhe luhatjet në tregjet globale.
Edhe TotalEnergies shënoi një rritje të ndjeshme të fitimeve, me afro 5.4 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit, ndërsa kompanitë amerikane ExxonMobil dhe Chevron, pavarësisht problemeve me furnizimin, arritën rezultate më të mira se parashikimet e analistëve.
Bankat globale po fitojnë nga paqëndrueshmëria
Përfitime të mëdha kanë regjistruar edhe bankat më të mëdha ndërkombëtare, falë rritjes së tregtimit financiar dhe lëvizjeve të investitorëve drejt aktiveve më të sigurta.
Sipas BBC-së, divizioni i tregtimit të JPMorgan Chase gjeneroi të ardhura rekord prej 11.6 miliardë dollarësh vetëm në tre muajt e parë të vitit 2026, duke ndihmuar bankën të arrijë një nga fitimet më të mëdha tremujore në historinë e saj.
Edhe bankat e tjera të mëdha amerikane, përfshirë Goldman Sachs, Morgan Stanley, Citigroup, Bank of America dhe Wells Fargo, raportuan rritje të konsiderueshme të fitimeve gjatë tremujorit të parë të vitit.
Në total, gjashtë bankat më të mëdha amerikane raportuan rreth 47.7 miliardë dollarë fitime në vetëm tre muaj. Analistët e tregut theksojnë se lufta ka nxitur rritje të jashtëzakonshme të volumit të tregtimeve financiare, pasi investitorët janë larguar nga asetet me rrezik dhe kanë kërkuar strehë më të sigurt financiare.
Industria e mbrojtjes përfiton nga rritja e tensioneve
Një nga sektorët që tradicionalisht përfiton më shpejt nga konfliktet ndërkombëtare është industria e mbrojtjes.
Analiza e BBC-së evidenton se lufta me Iranin ka shtyrë qeveritë europiane dhe amerikane të rrisin investimet në sistemet e mbrojtjes ajrore, raketore dhe teknologjitë kundër dronëve.
BAE Systems deklaroi se pret rritje të fortë të shitjeve dhe fitimeve gjatë vitit 2026, duke argumentuar se kërcënimet globale të sigurisë po rrisin shpenzimet ushtarake në shumë vende.
Po ashtu, Lockheed Martin, Boeing dhe Northrop Grumman raportuan nivele rekord të porosive në fund të tremujorit të parë të vitit.
Lufta po rrit edhe interesin për energjinë e rinovueshme
Paradoksalisht, konflikti ka rritur edhe interesin për energjitë alternative dhe uljen e varësisë nga karburantet fosile.
Sipas analizës, pasiguria në tregjet e naftës dhe gazit ka nxitur investitorët dhe konsumatorët të orientohen drejt energjisë së rinovueshme dhe automjeteve elektrike.
NextEra Energy ka parë rritje të ndjeshme të aksioneve gjatë vitit 2026, ndërsa kompanitë daneze Vestas dhe Orsted raportuan gjithashtu rritje të fitimeve.
Në Britaninë e Madhe, Octopus Energy deklaroi se lufta ka shkaktuar një “rritje të jashtëzakonshme” të kërkesës për panele diellore dhe pompa termike, ndërsa shitjet e automjeteve elektrike, veçanërisht nga prodhuesit kinezë, janë rritur ndjeshëm.
Kriza globale dhe “fitimet e luftës”
Analiza e BBC nënvizon se konfliktet gjeopolitike krijojnë shpesh një kontrast të fortë mes kostove që paguajnë qytetarët dhe fitimeve që realizojnë korporatat globale.
Ndërsa ekonomitë përballen me inflacion, çmime më të larta të energjisë dhe pasiguri financiare, kompani të caktuara po shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë globale për të rritur ndjeshëm të ardhurat dhe vlerën e tyre në tregjet ndërkombëtare./Përshtati nga BBC, ekofin.al
