Gjykatat e shkallës së parë në Shqipëri hynë në vitin 2025 me një stok prej 42,070 çështjesh të mbartura, nga të cilat 29,824 ishin civile dhe 12,246 penale, duke shënuar një ulje me 1,783 çështje ose rreth 4% krahasuar me fillimin e vitit 2024. Ky është reduktimi i parë i stokut në pesë vitet e fundit, një tregues se sistemi ka filluar të balancojë më mirë çështjet e reja me ato që përfundon.
Megjithatë, ngarkesa mbetet e përqendruar në disa gjykata kryesore, ku vetëm Tirana mban 18,485 çështje ose rreth 44% të totalit, ndërsa Elbasani përfaqëson rreth 12.5% dhe Durrësi rreth 10.5%. Së bashku, këto tri gjykata përballojnë 67% të gjithë backlog-ut, ndërsa gjykatat e tjera kanë pesha më të ulëta, me Korçën, Vlorën dhe Fierin që variojnë nga 4.8% në 5.4%, Shkodrën rreth 4%, Beratin, Gjirokastrën dhe Lezhën rreth 3% secila, Sarandën 2.3% dhe Dibrën e Kukësin rreth 1.3% secila.
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 81,842 çështje të reja, rreth 2,878 më pak ose 3% më pak se në vitin 2024. Nga këto, 32,408 janë çështje civile ose 40% e totalit dhe 49,434 janë penale ose 60%. Edhe këtu, Tirana mban peshën kryesore me 34,415 çështje të reja, që përbëjnë 42% të totalit kombëtar, e ndjekur nga Fieri me 8,493 çështje ose 10% dhe Durrësi me 7,525 çështje ose 9%. Gjykata si Elbasani, Korça, Shkodra dhe Vlora së bashku përbëjnë rreth 22% të çështjeve të reja, duke kontribuar ndjeshëm në ngarkesën e përgjithshme të sistemit.
Ngarkesa mesatare për gjyqtar ka rënë ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke arritur në 607 çështje për gjyqtar nga 750 një vit më parë, pra 143 çështje më pak ose rreth 19% ulje. Ky përmirësim lidhet me rritjen e numrit të gjyqtarëve dhe uljen e ngarkesës totale të sistemit me rreth 4%. Në disa gjykata, si Berati (-39%), Gjirokastra (-35%), Lezha (-29%), Elbasani (-26%) dhe Dibra (-25%), rënia e ngarkesës ka qenë edhe më e ndjeshme. Në të kundërt, në Fier ngarkesa është rritur me 8%, duke arritur në 727 çështje për gjyqtar nga 674.5 një vit më parë. Tirana mbetet gjykata më e ngarkuar në vend, me 917 çështje për gjyqtar në vitin 2025 nga 1006 në vitin 2024, një ulje me rreth 9%, por ende shumë mbi mesataren kombëtare.
Në fund të vitit 2025, backlog-u ka zbritur në 39,767 çështje, pra 2,303 më pak ose rreth 5.5% ulje krahasuar me fillimin e vitit. Nga ky total, 70% janë çështje civile dhe 30% penale, duke konfirmuar se çështjet civile vijojnë të dominojnë stokun dhe të ndikojnë më shumë në kohëzgjatjen e proceseve. Edhe pse shumica e çështjeve përfundojnë brenda një viti, konkretisht 57% e çështjeve civile ose 19,595 përfundojnë brenda 6 muajve dhe 33% ose 11,189 brenda 6 deri në 12 muaj, një pjesë prej 7% ose 2,575 zgjat nga 1 deri në 2 vite dhe 3% ose 968 kalon mbi 2 vite. Në çështjet penale, 89% ose 44,248 përfundojnë brenda 6 muajve dhe 8.7% ose 4,345 brenda një viti, ndërsa vetëm 1.8% ose 925 zgjasin 1 deri në 2 vite dhe 0.5% ose 300 mbi 2 vite.
Struktura e çështjeve të pazgjidhura tregon se 83% e tyre kanë një vjetërsi deri në 2 vite, 9% nga 2 deri në 3 vite, 4.5% nga 3 deri në 5 vite dhe 3.5% mbi 5 vite. Kjo do të thotë se shumica e çështjeve janë ende brenda një periudhe të menaxhueshme, por ekziston një grup i qëndrueshëm çështjesh shumëvjeçare që vazhdojnë të mbajnë të lartë kohën e pritjes për qytetarët dhe të rëndojnë mbi efikasitetin e sistemit gjyqësor./ekofin.al

