Çmimet e karburanteve në Shqipëri kanë pësuar një tjetër rënie, me Bordin e Transparencës që ka ulur ndjeshëm çmimin tavan të naftës në tregun vendas.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 7 maj 2026, gazoili do të tregtohet me jo më shumë se 196 lekë për litër në shitje me pakicë dhe 184 lekë/litër në shumicë. Krahasuar me vendimin e mëparshëm, nafta është ulur me 10 lekë për litër, duke zbritur për herë të parë pas shumë kohësh nën nivelin e 200 lekëve.
Edhe benzina ka shënuar ulje, ndonëse më të lehtë. Çmimi maksimal në pakicë është vendosur në 180 lekë/litër, ndërsa në shumicë 168 lekë/litër.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, nga ora 12:00 e kësaj të enjteje, dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen zhvillimet e reja në tregjet ndërkombëtare.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut për zbatim rigoroz të çmimeve të përcaktuara, duke theksuar se çdo shkelje do të shoqërohet me masa administrative deri në pezullim aktiviteti.
Në të njëjtën kohë, Bordi ka sqaruar se nuk do të aplikohet reduktimi me 20% i akcizës për karburantet, i parashikuar në Aktin Normativ nr.1, datë 3 prill 2026. Sipas këtij akti, ulja e akcizës aktivizohet vetëm në rast se çmimi i naftës kalon 220 lekë/litër dhe benzina 200 lekë/litër. Duke qenë se çmimet aktuale janë ndjeshëm poshtë këtyre kufijve, akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë 100%.
Rënia e fundit e çmimeve vjen në një moment kur tregjet ndërkombëtare të naftës po reflektojnë ngadalësimin e kërkesës globale dhe shtimin e ofertës, faktorë që kanë sjellë ulje graduale edhe në tregun shqiptar të karburanteve. /ekofin.al
