Programi i Vetëpunësimit rikthehet për vitin 2026 me një fond të shtuar dhe ambicie më të qarta për të mbështetur sipërmarrjen në vend. Mijistërja Delina Ibrahimaj, prezantoi zyrtarisht thirrjen e re, duke e cilësuar këtë program si një ndër instrumentet më të rëndësishme të politikave aktive të punësimit në Shqipëri.
Në një moment kyç për shumë individë që kanë ide, por jo burimet për t’i realizuar, programi synon të shndërrojë konceptet fillestare në biznese funksionale. “Programi i Vetëpunësimit është ndërtuar për të nxitur sipërmarrjen dhe për të mbështetur konkretisht të rinjtë, gratë dhe grupet vulnerabël që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes një biznesi,” u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se kjo nismë nuk është e kufizuar vetëm për individët që kthehen nga emigracioni, por u drejtohet të gjithë atyre që zgjedhin të ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre në Shqipëri. Ajo solli në vëmendje edhe histori konkrete suksesi nga përfitues të mëparshëm, duke dëshmuar potencialin e lartë që ekziston në tregun vendas.
Një element thelbësor i programit mbetet lidhja me arsimin dhe formimin profesional. Sipas Ibrahimajt, këto politika nuk synojnë vetëm integrimin në tregun e punës, por edhe fuqizimin e të rinjve për të krijuar vetë vende pune. “Arsimi dhe formimi profesional i pajisin të rinjtë me aftësi konkrete, duke u dhënë avantazh për të nisur më shpejt një aktivitet sipërmarrës,” deklaroi ajo.
Programi është i strukturuar në disa faza të qarta: nga aplikimi me një ide fillestare, te trajnimi për hartimin e planit të biznesit dhe më pas vlerësimi për financim. Çdo vit, rreth 200 përfitues mbështeten për të zhvilluar sipërmarrjet e tyre, duke gjeneruar vende të reja pune dhe të ardhura për familjet shqiptare.
Për vitin 2026, fondi i programit është rritur, me synimin për të zgjeruar numrin e përfituesve dhe për të krijuar më shumë mundësi reale për zhvillim ekonomik. Programi mbetet i hapur për të gjitha grupmoshat, duke mos u kufizuar vetëm te të rinjtë në arsimin profesional.
Në të njëjtën linjë mbështetjeje, Ministrja përmendi edhe programet për startup-et, përmes agjencisë “Innovation4Albania”, e cila prej vitesh financon ide inovative dhe biznese të reja në të gjithë vendin. Këto iniciativa po shtrihen gjithnjë e më shumë në territor, duke synuar barazi mundësish për të gjithë qytetarët.
Në përmbyllje, mesazhi ishte i drejtpërdrejtë dhe motivues: “Aplikoni. Nuk keni asgjë për të humbur, por shumë për të fituar njohuri, përvojë dhe mundësinë për të realizuar idenë tuaj.”
Thirrja për vitin 2026 është tashmë e hapur, duke u ofruar qytetarëve një mundësi konkrete për të kthyer ambicien në realitet dhe për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme përmes sipërmarrjes.

