Nga Gjon NDREJAJ
Sistemi zgjedhor dhe numri i deputetëve të Kuvendit, është një ushtrim i shtruar për zgjidhje përpara ligjvënësve shqiptarë por njëherit ai është një element i rëndësishëm për një demokraci funksionale. Meqenëse përvojat ndërkombëtare janë të shumta dhe nuk ka një sistem të vetëm zgjedhor, ashtu siç nuk ka një model të vetëm për caktimin e numrit të deputetëve, më rrêjti mendja të përfshihem edhe unë në këtë diskutim, duke dhënë këndvështrimin tim. Dua të them që në krye të herës se nuk jam një ekspert i çështjeve zgjedhore por kam pasur interesa të dukshme lidhur me sistemet zgjedhore dhe kam bërë herë pas here analiza të tyre duke i vendosur ato në kontekstin shqiptar.
Cili sistem zgjedhor do të ishte i përshtatshëm për Shqipërinë?
Për të gjykuar mbi përshtatshmërinë e sistemit zgjedhor për deputetë , më së pari duhet të fokusohemi në rolin e Kuvendit dhe të deputetit si institucion. Duke e thjeshtuar këtë, mund të themi se Kuvendi ka për mission hartimin e ligjeve, përfaqsimin e interesave të zgjedhësve dhe të mbajë përgjegjës Qeverinë dhe institucionet e pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre.
Teorikisht, asnjëri nga tre sistemet kryesore zgjedhore nuk është absolutisht më i miri. Zgjedhja e një sistemi është gjithmonë një ekuilibër mes përparësive konkurruese, si stabiliteti apo përfaqësimi i drejtë. Shqipëria ka aplikuar historikisht të tre modelet: sistemin mazhoritar në fillim të viteve ’90, sistemin e përzier gjatë një periudhe dhe aktualisht që nga viti 2009, aplikon sistemin proporcional rajonal, një variant i sistemit proporcional.
Sistemi mazhoritar krijon mazhoranca të qëndrueshme dhe të forta. Favorizon krijimin e qeverive njëpartiake dhe të qëndrueshme, pasi partia më e madhe shpesh fiton shumicën absolute të vendeve e përshatashme për kryerjen e reformave të thella strukturore. Krijon një lidhje të drejtpërdrejtë zgjedhës-deputet. Çdo deputet përfaqëson një zonë specifike dhe zgjedhësit e dinë se kush është përfaqësuesi i tyre.Sistemi është i thjeshët për t’kuptuar nga zgjedhësit pasi ata votojnë për një kandidat specifik. Nga ana tjetër ky system ka edhe disavantazhe si; humbje e votave, votat për kandidatët që nuk fitojnë nuk përkthehen në asnjë mandat, duke bërë që shumë zgjedhës të mbeten të papërfaqësuar. Përfaqësim jo i drejtë; Partitë e vogla ose pakicat kanë pak gjasa për t’u përfaqësuar, edhe nëse mbledhin një numër të konsiderueshëm votash në total, por jo në një zonë të caktuar. Në se do ti referoheshim rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Shqipëri si dhe sikur shpërndarja e votave të ishte njëlloj me rezultatin total në të gjithë vendin atëherë, PS do të kishte fituar 140 deputetë. E thënë shkurt ky system nuk krijon përfaqësim të drejtë por është përdorur në vendin tonë në fillimet e sistemit demokratik ku krijua mazhorancw e fortë për kryerjen e reformave.
Sistemi proporcional, synon që numri i mandateve të një partie në parlament të jetë sa më i përafërt me përqindjen e votave që ajo ka marrë në nivel vendi. Avantazhet e këtij sistemi konsistojnë në një përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës: Çdo votë ka vlerë, sepse partitë i marrin mandatet në përpjesëtim me fuqinë e tyre elektorale. Ky sistem pasqyron më mirë diversitetin politik, ideologjik dhe social të një vendi. Avantazhe të tjera lidhen me rritjen e pjesëmarrjes në zgjedhje, kur zgjedhësit e dinë që vota e tyre ka më shumë gjasa të ndikojë në rezultat, ata motivohen më shumë për të shkuar në votime, duke forcuar demokracinë. Sistemi nxit gjithashtu tolerancën dhe kompromisin,duke qenë se partitë detyrohen të negociojnë dhe të formojnë koalicione, ato kultivojnë një kulturë bashkëpunimi dhe përfshirjeje më të gjerë politike.
Por ky system mbart edhe disavantazhe të rëndësishme. Kështu ai priret të krijojë Qeveri të paqëndrueshme dhe kjo shpesh çon në krijimin e qeverive koalicioni, të cilat mund të jenë më të brishta dhe më të prirura ndaj rënies, duke shkaktuar potencialisht paqëndrueshmëri politike. Deputeti ka lidhje më të dobët me zgjedhësin, ata nuk zgjidhen nga një zonë specifike, por shpesh nga listat e partive, duke e dobësuar llogaridhënien e tyre ndaj një grupi të caktuar zgjedhësish. Ekziston rreziku i vonesave në formimin e qeverisë pasi orekset e partiuve politike për karrige shtohen dhe kështu negociatat paszgjedhore për të formuar një koalicion mund të zgjasin me muaj, duke lënë vendin në një gjendje pasigurie. Roli i të ashtuquajturve “king maker” rritet së tepërmi. Në eksperiencën e vendit tonë jemi dëshmitarë se si parti të vogla që kanë fituar 10-15 % kanë diktuar qeverisjen. Nga ana tjetër sistemi proporcional e kthen përfaqësimin, në “merakton” e kryetarëve të cilët praktikisht zgjedhin deputetët. Për të reduktuar mungesën e stabilitetit, ky system shoqërohet me një prag që shkon nga 3-5 përqind e cila do të thotë se mund të kualifikohen për të përkthyer votat në mandate , vetëm ato parti që e kapërcejnë këtë prag.
Sistemi i përzier kombinon elemente nga dy të parët, duke synuar të kapë avantazhet e të dyjave dhe të minimizojë disavantazhet e tyre. Ky system ofron një ekuilibër,një pjesë e deputetëve zgjidhet në zona një-emërore (mazhoritare), duke ruajtur lidhjen me elektoratin. Pjesa tjetër e mandateve shpërndahet në mënyrë proporcionale, duke korrigjuar shtrembërimet dhe duke siguruar përfaqësimin e partive më të vogla.Le të themi 100 deputetë mazhoritarë dhe 40 nga proporcionali siç ka qenë edhe në përvojën e vendit tonë. Sistemi krijon një përfaqësim të drejtë dhe zvogëlon votat e humbura. Ai garanton që rezultati i përgjithshëm i zgjedhjeve të jetë proporcional, duke mos i hedhur poshtë votat për partitë që nuk fitojnë në një zonë të caktuar. Përfaqësimi i tij është më i plotë se ai mazhoritar. Nga ana tjetër ka një kompleksitet të lartë; është më i ndërlikuar për t’u kuptuar nga zgjedhësit dhe më i shtrenjtë për t’u administruar, duke pasur dy mënyra të ndryshme votimi dhe llogaritjeje. Sistemi bart edhe rrezikun e krijimit të dy kastave deputetësh; deputetët e zgjedhur nga lista proporcionale, mund të kenë më pak prestigj apo ndikim sesa ata të zgjedhur drejtpërdrejt, duke krijuar një pabarazi brenda parlamentit.
Aktualisht vendi ynë aplikon një sistem proporcional rajonal sipas të cilit vendi ndahet në 12 rajone dhe çdo rajon ka një numër të caktuar vendesh në Parlament. Ndërkohë sistemi parashikon një prag minimal prej 3 % të votave të vlefshme në nivel kombëtar , për partitë dhe 5 % për koalicionet, për t’u kualifikuar për mundësinë e marrjes së një mandati në rajon. Në zgjedhjet e fundit parlamentare sistemi u modifikua duke i shtuar listat e hapura. Ky ndryshim, parashikon se 1/3 e listës është e mbyllur, ndërsa 2/3 e mbetura, janë të hapura dhe radhitja e kandidatëve përcaktohet nga partia për pjesën e mbyllur ndërsa për pjesën e hapur të listës kandidatët radhiten sipas votave preferenciale që secili kandidat merr nga zgjedhësit. Ose e shprehur në përqindje 33 përqind në lista të mbyllura dhe 67 përqind në lista të hapura. Kjo u jep zgjedhësve një farë ndikimi për të përcaktuar se cilët nga kandidatët e një partie do të bëhen deputetë.
Në të vërtetë këto raporte janë një truk, pasi depuetët që zgjidhen nga listat e hapura janë shumë pak. Le të marrim si shembull Tiranën e cila ka 37 deputetë, dhe ti referohemi një force politike, le të themi PD. Një e treta nga lista prej 37 deputetësh, i takon që 12 të jenë në listat e mbyllura të caktuar nga Kryetari ose sic konsiderohen në vende të sigurta, ndërsa pjesa tjetër në lista të hapura. Po sa është pjesa tjetër? Referuar rezultatit të zgjedhjeve të fundit, PD ka marrë në tiranë 13 mandate, nga të cilat 12 në lista të mbyllura dhe vetëm një në nga lista e hapur ose jo 2/3 por 1/13 që në % i takon jo 67 përqind por vetëm 7.7 % e listës është e hapur. Partitë e tjera përvec PS dhe PD nuk kanë marrë asnjë deputet nga listat e hapura.
Sistemi proporcional rajonal, në se do të korrigjohet edhe më tej elementi mazhoritar, duke i hapur listat në masën 100 përqind, është vërtet i përshtatshëm. Ai rrit përfaqësimin, lidhjet e deputetit me zgjedhësit, rolin dhe cilësinë e tij dhe krijon mundësi për mazhoranca të qëndrueshme. Kjo është edhe përgjigja ime për pyetjen që shtruam në nëntitullin e këtij shkrimi.
Numuri i deputetëve. Sa duhet të jetë?
Numri i deputetëve lidhet drejpërdrejt me tre faktorë. Përfaqësimin e popullsisë , funksionalitetin e vendimarrjes dhe sistemet parlamentare. Të tre këta faktorë janë të lidhur me njëri tjetrin por jo proporcionalisht. Numri i deputëtev në R.SH është i përcaktuar nga Kushtetuta e cila është miratuar me 28 Nëntor të vitit 1998 dhe është 140. Personalisht mendoj përcaktimi i një numri fiks në Kushtetutë, për vetë faktorët dinamikë që ndikojnë në këtë numër, nuk është fort praktik. Kushtetuta sipas meje duhet të përcaktojë formulën ose modelin e llogaritjes së numrit por jo numrin, duke ja lënë këtë kompetencë ligjit zgjedhor.
Ekzistojnë disa teori në lidhje me përcaktimin e numrit të deputetëve disa prej të cilave po i renditim në vijim:
“Teoria e Rrënjës Kubike (Cube Root Law)” Kjo teori ka për autor shkencëtarin politik Rein Taagepera, sipas të cilës numri optimal i deputetëve, është afërsisht i barabartë me rrënjën kubike të popullsisë së vendit. Kjo teori balancon dy forca kundërshtare: nevojën për përfaqësim të kujdesshëm (që kërkon më shumë deputetë) dhe nevojën për efikasitet vendimmarrës (që kërkon më pak deputetë). Rrënja kubike jep një numër deputetësh që rritet më ngadalë se popullsia, por më shpejt se logaritmi. Le të marrim si shembull vendin tonë i cili ka 2.75 milion banorë dhe = 140 deputetë. Ky numër deputetësh përkon me popullsinë aktuale të Shqipërisë. Por në vitin1998 kur është miratuar Kushtetuta dhe është caktuar ky numër, popullsia sipas të dhënave të INSTAT ishte 3.108.778 banorë. Në se do të ishte zbatuar kjo formulë atëherë Shqipëria do të kishte = 146 depuetë. Kësisoj nuk duket se kushtetutëbërësit e asaj akohe i janë referuar saktësisht kësaj formule Sipas kësaj formule Gjermania me një popullsi prej 84 milion banorë duhej të kishte 438 deputetë ndërkohë që ajo ka realisht 630 të tillë për shkak të mandateve shtesë që ajo aplikon.
Një teori tjetër është “Teoria e Përfaqësimit Proporcional Ideal”.Sipas kësaj teorie numri i deputetëve duhet të jetë i tillë që secili deputet të përfaqësojë numrin optimal të qytetarëve, zakonisht midis 30,000 dhe 100,000.Argumenti bazë që i referohet kësaj teorie lidhet me faktin se nën 30,000 banorë për deputet, parlamenti bëhet shumë i madh dhe i kushtueshëm dhe mbi 100,000 banorë për deputet, lidhja mes zgjedhësit dhe përfaqësuesit dobësohet. Referuar kësaj teorie Shqipëria duhet të ketë 92 deputetë ose 1deputet /30.000 banorë , ndërkohë që ka 1/19.600 banorë. Por kjo teori nuk duket se ka gjetur zbatim në asnjë nga vendet e rajonit. Kështu ky numër është përkatësisht në; Mal të Zi, 1deputet/7,582 banorë; Maqedonia e Veriut 1/15,000; Sllovenia 1/23.300; Kroacia 1/25.300; Serbia, 1/26.400; ndërsa Gjermania 1/134.300 banorë. Ndërkohë propozimi për të cilin duket se forcat politike kanë rënë dakord i refeohet shifrës 100 deputetë ose 1 deputet për 27.500 banorë
“Teoria e Efikasitetit Institucional” është një teori që presupozon që numri i deputetëve duhet të jetë sa më i vogël, në mënyrë të jetë funksionale puna parlamentare, por jo aq i vogël sa të rrezikohet përfaqësimi. Parlamentet shumë të mëdha (mbi 600–700 anëtarë) vuajnë nga “problemi i freeriderit” (deputetët bëhen pasivë) .Parlamentet shumë të vogla (nën 50) rrezikojnë dominimin e ekzekutivit dhe mungesën e specializimit në komisione. Kjo teori sygjeron që numri i deputetëve në një parlament duhet të jetë minimalisht 50-70 dhe maskimalisht 500-600 deputetë
Ekziston edhe një teori tjetër si ajo e fizikanit Giorgio Margaritondo, i cili argumenton se të dhënat për numrin e deputetëve përshtaten më mirë me formulën:
A = 0.1 x PE,
ku:
“E” ka një vlerë 0.45 ± 0.03
Ndërsa P është numri i popullsisë.
Në matematikë, PE do të thotë “P ngritur në fuqinë “E”. Për shembull, nëse P =10 dhe E = 2, atëherë PE = 10² = 100. Në rastin e Shqipërisë të dhënat për numrin e deputetëve sipas kësaj formule do të ishin
A= 0,1x( 2.750.000)0.45 =79 deputetë
Sipas kësaj formule numri i deputetëve për Shqipërinë mund të jetë jo më shumë se 79-81 deputetë ose 1 deputet 34.375 banorë
Në se ligjvënësit tanë do të zgjedhin midis numrit 92 dhe 81 deputetë, si numri më efektiv për vendin tonë kjo do të krijonte edhe disa implikime të tjera. Kështu një ndryshim i tillë do të kishte efekte të rëndësishme politike dhe institucionale. Ai do të rriste ndjeshëm pragun natyror për të hyrë në parlament, duke favorizuar partitë e mëdha dhe duke rrezikuar përfaqësimin e forcave të vogla që aktualisht janë të pranishme.
Një Kuvend më i vogël mund të jetë më i shpejtë në vendimmarrje dhe më i lehtë për t’u menaxhuar, një argument që është përdorur publikisht për të mbështetur nismën për zvogëlim. Megjithatë, kjo mund të vijë në kurriz të specializimit, pasi do të kishte më pak deputetë për të mbuluar komisionet e shumta parlamentare gjë e cila është një nga argumentet kundër, për një Kuvendi më të vogël.
