Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin paraprak për tregun e transportit detar të udhëtarëve në linjat që operojnë nga porti i Durrësit dhe ai i Vlorës, duke konstatuar probleme serioze në funksionimin e konkurrencës, por pa kaluar në një hetim të thelluar. Vendimi nr. 1275 i datës 25 prill 2026 evidenton se tregu mbetet i përqendruar dhe me elementë që mund të kufizojnë konkurrencën, ndërsa operatorëve u është kërkuar thjesht që të korrigjojnë sjelljen.
Nga analiza e Autoritetit rezulton se tregu përbëhet nga disa operatorë kryesorë në linjat Durrës–Ankona dhe Durrës–Bari, ku dominojnë kompani si Adria Ferries, AF Agency dhe GNV, ndërsa në linjën Vlorë–Brindisi operon vetëm një operator, duke krijuar një situatë edhe më të kufizuar konkurruese. Në veçanti, në linjën Durrës–Ankona, Adria Ferries dhe agjencia AF Agency rezultojnë me pozicion dominues, si në volum ashtu edhe në strukturën e çmimeve.
Vendimi nxjerr në pah se gjatë viteve 2022–2024 dhe në vijim, ka pasur rritje të konsiderueshme të çmimeve të biletave, ndërkohë që diferencat mes operatorëve mbeten të kufizuara. Kjo, sipas Autoritetit, lidhet edhe me mungesën e një metodologjie të qartë dhe transparente për përcaktimin e tarifave, si dhe me faktin që çmimet miratohen nga Ministria, duke krijuar një treg me fleksibilitet të ulët konkurrues.
Gjithashtu, problem mbetet mungesa e transparencës financiare. Operatorët nuk kanë depozituar të dhëna të detajuara mbi kostot reale të shërbimit, gjë që e bën të vështirë vlerësimin nëse çmimet janë të justifikuara ekonomikisht apo përmbajnë elementë abuzimi me pozicionin në treg.
Po ashtu, Autoriteti evidenton se ka elementë që mund të çojnë në koordinim indirekt mes operatorëve, për shkak të mënyrës së organizimit të tregut dhe rolit të ndërmjetësve, si dhe mungesës së hyrjeve të reja në treg. Kjo situatë rrit rrezikun që konkurrenca të mbetet formale dhe jo reale.
Megjithatë, pavarësisht këtyre gjetjeve, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur të mbyllë hetimin paraprak, duke mos e çuar çështjen në një hetim të thelluar, por duke lënë një sërë detyrimesh për operatorët dhe rekomandime për institucionet.
Ndër masat kryesore, operatorëve u kërkohet të hartojnë dhe zbatojnë një metodologji të qartë për përcaktimin e çmimeve, të bazuar në kostot reale dhe parimet e transparencës. Gjithashtu, kërkohet raportim më i detajuar financiar dhe publikim i informacionit mbi tarifat dhe shërbimet.
Ndërkohë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i rekomandohet të rishikojë mënyrën e miratimit të tarifave dhe të sigurojë një kuadër më konkurrues, duke lehtësuar hyrjen e operatorëve të rinj dhe duke shmangur kufizimet administrative që mund të deformojnë tregun.
Vendimi lë të hapur një pikëpyetje thelbësore: nëse një treg identifikohet me pozicione dominuese, mungesë transparence dhe rritje çmimesh, por pa ndërhyrje të fortë rregullatore, a rrezikon konkurrenca të mbetet vetëm në letër? Në këtë rast, Autoriteti i Konkurrencës duket se ka zgjedhur një qasje më të butë, duke i dhënë kohë tregut të vetëkorrigjohet, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo do të sjellë realisht më shumë konkurrencë apo thjesht do të konsolidojë aktorët ekzistues. /ekofin.al

