Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka qenë pjesë e Konferencës së Biznesit Gjermani – Shqipëri, e zhvilluar më 30 prill 2026 në Berlin, duke e shfrytëzuar këtë platformë për të promovuar potencialin ekonomik të vendit dhe për të tërhequr interesin e investitorëve gjermanë.
Aktiviteti u mbajt në ambientet e “Shtëpisë së Ekonomisë Gjermane” (Haus der Deutschen Wirtschaft) dhe mblodhi përfaqësues institucionalë dhe të biznesit nga të dy vendet, me fokus të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe identifikimin e mundësive konkrete të investimit.
Në këtë kuadër, AIDA organizoi një workshop të dedikuar me temë “Mundësitë e Investimit dhe Lehtësitë në Shqipëri – si dhe Mbrojtja e Investimeve”, duke synuar të japë një panoramë të plotë të klimës së biznesit në vend.
Workshop-i u hap nga drejtoresha ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, e cila theksoi rolin e Gjermanisë si një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të lehtësuar hyrjen e kapitalit të huaj në tregun shqiptar.
Gjatë prezantimit, u evidentuan zhvillimet kryesore ekonomike në vend, me fokus te sektorët me potencial të lartë rritjeje, si energjia, turizmi, infrastruktura dhe teknologjia e informacionit. Po ashtu, u prezantuan instrumentet mbështetëse për investitorët e huaj, që përfshijnë lehtësira fiskale, asistencë institucionale dhe mekanizma për mbrojtjen e investimeve në faza të ndryshme të ciklit të tyre.
Pjesëmarrja e AIDA-s në këtë forum vlerësohet si një hap i rëndësishëm në drejtim të promovimit të Shqipërisë si destinacion investimi në tregun gjerman, duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta me kompani dhe aktorë të rëndësishëm të biznesit. Ky aktivitet pritet të shërbejë si një nxitje për konkretizimin e projekteve të reja dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. /ekofin.al





