Raporti vjetor i Departamentit të Administratës Publike (DAP) tregon se zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në shërbimin civil ka shënuar progres, por vijon të shoqërohet me probleme të përsëritura.
Sipas të dhënave, që nga viti 2014 janë zbatuar 440 vendime nga një total prej 513, duke çuar nivelin e përgjithshëm të zbatimit në 85.76%. Vetëm gjatë vitit 2025 janë zbatuar 13 vendime, nga të cilat 5 në favor të nëpunësve të kategorisë së mesme drejtuese, 4 për kategorinë e ulët drejtuese dhe 4 për kategorinë ekzekutive. Në 5 raste, institucionet kanë përmbushur vetëm detyrimet monetare, për shkak se përfituesit kanë dalë në pension, kanë hequr dorë nga rikthimi në detyrë ose kanë ndërruar jetë.
Ndërkohë, numri i çështjeve gjyqësore mbetet i lartë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 96 çështje në proces, ku 56 janë të mbartura nga viti 2024 dhe 40 të reja. Nga këto, 50 procese kanë përfunduar në shkallë të parë, me një ndarje pothuajse të barabartë: 48% në favor të institucioneve dhe 52% në favor të nëpunësve. Një pjesë e konsiderueshme e çështjeve lidhen me përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil, ku 36 raste (37.5%) kanë të bëjnë me largime nga detyra, masa disiplinore apo ristrukturime.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet zbatimi në praktikë i vendimeve të formës së prerë. Një nga rastet më të theksuara lidhet me vendimet për rikthim në detyrë dhe pagesën e pagave, të cilat më pas prishen nga Gjykata e Lartë. Në këto situata, institucionet janë të detyruara të rikthejnë në punë dhe të paguajnë nëpunësin, por më pas kërkohet kthimi i këtyre përfitimeve, gjë që shpesh është e vështirë ose e pamundur për t’u realizuar. Kjo gjë krijon pasoja financiare si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për vetë nëpunësin që ka vepruar në mirëbesim.
Vështirësia tjetër lidhet me ristrukturimet institucionale. Në shumë raste, pozicionet për të cilat gjykata vendos rikthimin në detyrë nuk ekzistojnë më ose kanë ndryshuar kriteret, duke e bërë praktikisht të pamundur ekzekutimin e vendimit. Po ashtu, problem mbetet refuzimi i gjyqfituesve për t’u sistemuar në pozicione alternative, duke zgjatur procesin dhe duke rritur kostot për shtetin.
Raporti thekson edhe raste të pagesave të dyfishta, kur nëpunësi përfiton njëkohësisht pagesë nga institucioni që ka humbur gjyqin dhe nga një punë tjetër në sektorin publik. Në mungesë të një rregullimi të qartë ligjor, këto raste përfundojnë sërish në gjykatë. Vështirësi krijojnë edhe vendimet me ekzekutim të përkohshëm, të cilat duhet të zbatohen menjëherë, ndërkohë që institucionet nuk i kanë parashikuar këto shpenzime në buxhet. Shqetësim mbeten gjithashtu vonesat në kërkesat për ekzekutim, që çojnë në rritje të konsiderueshme të detyrimeve financiare për shtetin.
Për të adresuar këto problematika, DAP propozon ndryshime në ligjin “Për nëpunësin civil”. Ndër propozimet kryesore është kufizimi i rasteve kur kërkohet pëlqimi i gjyqfituesit për sistemim në një pozicion të ri, vetëm në situata të caktuara, si kur pozicioni është më i ulët, më larg se 45 km nga vendbanimi, ose i papërshtatshëm për arsye shëndetësore. Po ashtu, parashikohet që, në rastet kur nëpunësi ka qenë i punësuar diku tjetër, ai të përfitojë vetëm diferencën e pagës dhe jo pagesa të dyfishta.
DAP propozon gjithashtu marrjen e autorizimit të Këshillit të Ministrave për të miratuar rregulla të detajuara për procedurat e ekzekutimit dhe përgjegjësitë administrative gjatë këtij procesi. /ekofin.al
