Raporti i Stabilitetit Financiar i Banka e Shqipërisë tregon se gjendja financiare e bizneseve në vend ka qenë përgjithësisht pozitive gjatë periudhës korrik – dhjetor 2025, ndonëse shfaqen sinjale të rritjes së presioneve nga borxhi dhe kostot e aktivitetit.
Sipas vrojtimit mbi ndërmarrjet, ecuria e shitjeve në gjysmën e dytë të vitit mbetet në territor pozitiv, në nivele të ngjashme me periudhën paraardhëse, por disi më e ulët krahasuar me një vit më parë, ndërsa performancën më të mirë e kanë regjistruar ndërmarrjet e mëdha dhe sektori i tregtisë.
Të dhënat tregojnë një nivel të lartë fitueshmërie, me rreth 94% të ndërmarrjeve që deklarojnë se kanë operuar me fitim. Edhe pritshmëritë për gjysmën e parë të vitit 2026 mbeten pozitive për të gjitha kategoritë e bizneseve, megjithëse disi më të moderuara se në gjashtëmujorin e kaluar. Ndërkohë, sfidat ndryshojnë sipas madhësisë: bizneset e vogla dhe të mesme evidentojnë konkurrencën dhe gjetjen e tregut, ndërsa ndërmarrjet e mëdha theksojnë kostot e prodhimit dhe mungesën e fuqisë punëtore.
Në të njëjtën kohë, raporti thekson një rritje të ekspozimit ndaj borxhit. Rreth 36% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar, me një rritje prej 2 pikë përqindje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Megjithëse 45% e bizneseve e konsiderojnë nivelin e huamarrjes të përshtatshëm, raporti “hua/kapital” ka arritur në rreth 78%, në rritje, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në sektorin e ndërtimit, situata paraqitet më e ngarkuar, ku 27% e ndërmarrjeve raportojnë hua sa ose mbi nivelin e kapitalit.
Rritja e borxhit reflektohet edhe në koston e shërbimit të tij. Për 73% të ndërmarrjeve, pagesat e huasë arrijnë deri në 20% të të ardhurave, ndërsa për 23% të tyre kjo peshë shkon në 20%-50%. Barra është rritur për të gjitha kategoritë, por më e ndjeshme për ndërmarrjet e mesme, ku 34% raportojnë se pagesat tejkalojnë 20% të të ardhurave. Pritjet për koston e huasë mbeten kryesisht të qëndrueshme, me 88% të bizneseve që nuk presin ndryshim në gjysmën e parë të vitit 2026, por 10% parashikojnë rritje të mëtejshme.
Nga ana tjetër, kërkesa për financim pritet të vijojë në rritje. Pesha e ndërmarrjeve që nuk planifikojnë të marrin kredi ka rënë në rreth 39%, ndërsa është rritur numri i atyre që shprehen se kanë gjasa të kërkojnë financim, veçanërisht ndër bizneset e vogla./ekofin.al

