Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, kryeministri Edi Rama i ka bërë apel të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë mamografinë.
Gjithashtu ai u kujtoi të gjitha familjeve që të kujdesen ndaj nënave, grave, motrave e vajzave në mënyrë që ato të kryejnë kontrollet mjekësore për të parandaluar surpriza të padëshiruara shëndetësore.
Muaji tetor njihet ndryshe si “Tetori rozë”, muaj ky kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas.
Për të rritur ndërgjegjësimin, përgjatë gjithë muajit tetor, organizohen evente të ndryshme, me pjesëmarrjen edhe të politikaneve, artisteve, gazetareve e të tjera gra me ndikim, të cilat japin mesazhe inkurajuese në mënyrë që kjo nismë të përqafohet nga sa më shumë gra.
