Transformimi digjital i bizneseve në Shqipëri ka shënuar përmirësim në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë, por hendeku me rajonin dhe sidomos me Bashkimin Europian mbetet i dukshëm.
Sipas raportit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, pjesa e SME-ve në vendin tonë me të paktën një nivel bazë të intensitetit digjital është rritur ndjeshëm nga 27% në 2023 në 40.9% në 2024. Megjithatë, ky përmirësim mbetet i pamjaftueshëm për të arritur mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 59% dhe nivelin e BE-së prej 73%.
Edhe në përdorimin e teknologjive specifike, treguesit ndryshojnë. Shkëmbimi elektronik i informacionit ka mbetur i pandryshuar në 38.8% të ndërmarrjeve, duke ruajtur një nivel më të lartë se rajoni (25%), ndërsa analiza e të dhënave qëndron në 33.4%, gjithashtu mbi mesataren rajonale prej 29%. Përdorimi i shërbimeve cloud nuk ka shënuar rritje, duke mbetur në 22.9% në 2024, në linjë me rajonin (23%), por shumë poshtë BE-së (38%).
Një zhvillim negativ vihet re te inteligjenca artificiale, ku përdorimi ka rënë nga 12.1% në 2023 në 9.2% në 2024, megjithëse mbetet mbi mesataren rajonale prej 6%. Edhe përdorimi i kombinuar i teknologjive si AI, cloud apo analiza e të dhënave ka mbetur i pandryshuar në 38.5%, duke treguar mungesë progresi në integrimin më të avancuar të zgjidhjeve digjitale në biznes.
Nga ana tjetër, tregtia elektronike ka shënuar përmirësim të dukshëm. Pjesa e SME-ve që shesin online është rritur nga 20% në 2023 në 24.5% në 2024, duke arritur nivelin e rajonit dhe duke tejkaluar mesataren e BE-së prej 20%. Edhe pesha e shitjeve online në xhiron totale është rritur nga 7% në 2022 në 9.5% në 2024, mbi mesataren rajonale prej 8%, por ende nën nivelin e BE-së prej 12%.
Megjithatë, ekosistemi i inovacionit mbetet i dobët, pasi Shqipëria nuk ka ende asnjë “unicorn” ((startup me vlerë mbi 1 miliard dollarë), në kontrast me 286 të tillë në BE. Kjo gjë tregon kufizime në zhvillimin e kompanive teknologjike me potencial të lartë dhe në tërheqjen e investimeve në sektorë inovativë. /ekofin.al
