Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rishikuar rregullat për pajisjen me Certifikatën e Aftësisë Profesionale (CAP), duke vendosur kritere më të detajuara për trajnimin dhe kualifikimin e drejtuesve të mjeteve të kategorive C dhe D, të cilat kanë hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.
Nëse në udhëzimin e mëparshëm, kualifikimi fillestar dhe trajnimi periodik trajtoheshin së bashku në një paketë prej 70 orësh (60 teori dhe 10 praktikë), me udhëzimin e ri këto dy procese ndahen.
Kualifikimi fillestar mbetet i pandryshuar, ndërsa trajnimi periodik përcaktohet veçmas me 35 orë teori, duke sjellë në praktikë një ulje të ngarkesës vetëm për fazën e rikualifikimit të drejtuesve.
Për kandidatët që pajisen për herë të parë me CAP, mbetet në fuqi detyrimi për të ndjekur kualifikimin fillestar dhe për të kaluar testimin teorik dhe praktik. Ndërkohë, drejtuesit që rinovojnë certifikatën do të duhet të ndjekin trajnimin periodik dhe të plotësojnë orët e detyrueshme të përcaktuara në program.
Me ndryshimet e reja edhe DPSHTRR forcon mekanizmat e kontrollit. Institucioni do të ushtrojë verifikime të vazhdueshme në autoshkolla dhe institucione trajnuese, për të garantuar respektimin e standardeve teknike dhe profesionale, duke përfshirë bazën mësimore, stafin dhe programet e trajnimit.
Rinovimi i CAP-it nuk do të mund të kryhet pa përfunduar plotësisht trajnimin periodik, duke eliminuar praktikat e mëparshme të procedurave më të thjeshtuara.
Ndryshimet synojnë të rrisin cilësinë e përgatitjes së drejtuesve profesionistë, të përmirësojnë sigurinë rrugore dhe të afrojnë standardet me kërkesat evropiane për transportin e mallrave dhe pasagjerëve./ekofin.al
