Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar probleme të rëndësishme në sistemin e garantimit të cilësisë dhe sigurisë së barnave që qarkullojnë në Shqipëri, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave shtetërorë përgjegjës për mbrojtjen e shëndetit publik. Auditimi i performancës, i zhvilluar për periudhën 2020–2023 dhe i fokusuar te Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, nxjerr në pah një sërë dobësish strukturore, ligjore dhe operacionale.
Raporti ngre alarmin se ndërsa importet e barnave janë rritur ndjeshëm dhe kostot për njësi kanë rënë, sistemi i kontrollit nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm, duke krijuar hapësira për risk të mundshëm të futjes në treg të produkteve nën standard. Vetëm në vitin 2023, importet arritën në 837 ton, ndërkohë që kostoja për ton ra, një kombinim që sipas KLSH mund të lidhet me cilësi më të dobët të produkteve.
Auditimi evidenton se kuadri ligjor nuk është plotësisht i përafruar me standardet e Bashkimit Europian, ndërsa mungojnë instrumente kyçe si sistemi “track and trace” për gjurmimin e barnave. Po ashtu, transparenca mbi çmimet e barnave mbetet e kufizuar dhe sistemet informatikë nuk reflektojnë në kohë ndryshimet e kursit të këmbimit, duke krijuar paqartësi në treg.
Një nga gjetjet më kritike lidhet me kapacitetet laboratorike. Laboratori i kontrollit të barnave rezulton i paakredituar dhe i pa përditësuar me standardet europiane, ndërkohë që për tre vite radhazi nuk janë akorduar fonde për investime në pajisje. Si pasojë, numri i analizave laboratorike është dukshëm më i ulët se numri i barnave të autorizuara për tregtim, duke lënë një pjesë të konsiderueshme të tregut pa kontroll të plotë cilësor.
Problematikat shtrihen edhe te inspektimet dhe mbikëqyrja institucionale. Sipas KLSH, kontrollet nuk mbulojnë të gjithë zinxhirin farmaceutik, ndërsa vetë Ministria e Shëndetësisë nuk ka ushtruar në mënyrë efektive rolin mbikëqyrës ndaj agjencisë vartëse. Mungesa e një njësie të posaçme kontrolli dhe kapacitetet e kufizuara të stafit e përkeqësojnë situatën.
Po kështu, shqetësim serioz përbën bashkëpunimi institucional dhe transparenca. Auditimi evidenton vonesa në autorizimet e tregtimit, mungesë koordinimi me doganat për verifikimin e importeve dhe raste kur barna të listuara nuk janë importuar fare, pa u bërë analiza për arsyet. Ndërkohë, agjencia nuk ka informuar në mënyrë të mjaftueshme publikun për barnat e tërhequra apo të rrezikshme dhe nuk ka reaguar në kohë ndaj sinjaleve nga institucionet ndërkombëtare si EMA apo FDA.
Në disa raste, KLSH evidenton edhe situata konkrete problematike, si mungesa e analizave për barna të konsideruara të rrezikshme nga agjencitë ndërkombëtare, apo prania në treg e barnave që duhet të ishin pezulluar ose tërhequr.
KLSH rekomandon një paketë të gjerë masash, që nga përditësimi i kuadrit ligjor dhe përafrimi i plotë me direktivat e BE-së, deri te investimet urgjente në laboratorë, rritja e analizave dhe forcimi i farmakovigjilencës. Po ashtu, kërkohet rritje e transparencës, bashkëpunim më i fortë me institucionet ndërkombëtare dhe ndërgjegjësim i qytetarëve për raportimin e efekteve anësore. /ekofin.al
