Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me operatorë të biznesit ushqimor, ku theksoi rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian si një sfidë kyçe për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.
Rama nënvizoi se ky proces nuk lidhet thjesht me përmbushjen e detyrimeve ndaj të tjerëve, por me përfitimin e një “bagazhi të pazëvendësueshëm dijeje” që ndihmon Shqipërinë të ndërtojë standarde europiane në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Ai e cilësoi sigurinë ushqimore si një nga sfidat më komplekse të integrimit, duke theksuar se standardet e BE-së nuk janë pengesë, por mundësi për zhvillim dhe prosperitet.
“Ky proces lidhet me sfidën më komplekse të të gjitha proceseve të anëtarësimit, që është sfida ushqimore. Këtu del në pah rëndësia madhore që ka për ne, procesi i anëtarësimit në BE, të cilin shumëkush e ngatërron me një proces që lidhet me detyra që i plotësojmë për hir të të tjerëve, në fakt ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm dijeje, që ne duhet ta importojmë nga BE në Shqipëri, për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve.
Për të ndërtuar standarde europiane, që këtu tek ne janë në shërbim të shëndetit të çdo familjeje shqiptare. Pa BE dhe gjithë këtë bagazh dijeje që vjen në këtë proces, ne do ta kishim të pamundur, që të arrinim ato standarde sigurie dhe garanci për zhvillim dhe prosperitet të vendit tonë.
Kur flasim për siguri ushqimore, flasim për një vend që nuk kemi se si ta negociojmë dhe ta realizojmë, nëse nuk zotërojmë dijet për të ngritur gjithë atë grehinë politikëbërëse. Prandaj standardet europiane, të cilat janë sfida për t’u fituar, janë maja të vështira për t’u arritur, në fund të ditës nuk janë zinxhirë në këmbët tona, por janë krahë që na mundësojnë të ngjitemi më lartë”, tha kryeministri Rama.
Rama u shpreh se punën duhet ta bëjnë ata që zbatojnë ligjin, të cilët luftojnë informalitetin në zinxhirin ushqimore. Rama shtoi se BE është e gatshme për mbështetje me binjakëzim në sistemin e tyre.
“Ne na duhet modernizimi i sistemit veterinar, i rrjetit të laboratorëve, të cilat, as nuk mund të konsiderohen detyra, por janë zgjedhje të pashmangshme për të nesërmen tonë. Punën e bëjnë njerëzit që zbatojnë ligjin, që luftojnë informalitetin në zinxhirin ushqimor, problem që përballemi. Është luftë për shtetin e së drejtës, në një treg ku duhet të triumfojë merita e atij që është më i zoti. Detyrat janë shumë të qarta, u takojnë dy përgjegjësi. Nga njëra anë, zhvillimi i mëtejshëm i dijeve për detyrën, nga ana tjetër, ndërtimi i një praktike kontrollesh zyrtare, në bazë risku, të harmonizuara nga qendra, për t’i dhënë fund traditës së vjetër të kontrolleve të befasishme, të iniciuara nga vetë inspektorët. Kemi sot institut që kërkon mbështetje, rritje kapacitetesh, kemi gatishmërinë e BE, për ta na mbështetur me binjakëzim në sistemin aq shembullor dhe të dobishëm që kanë vendet e BE, jo thjesht për të ndarë kohë, por për të marrë dijet dhe eksperiencën. Po zhvillohen bisedime në këtë drejtim do kemi binjakëzim të AKU, qoftë të institutit të sigurisë ushqimore dhe veterinare”, theksoi ai.
Rama u shpreh se integrimi është “një thikë me dy presa”, duke e cilësuar njëkohësisht si një horizont mundësish për sipërmarrjet e përgatitura dhe një rrezik serioz për ato që nuk përmbushin standardet.
Ai paralajmëroi se e ardhmja mund të jetë fatale për bizneset që nuk ndërmarrin hapa konkretë për t’u përshtatur me kërkesat evropiane, ndërsa theksoi nevojën për informim dhe ndërgjegjësim të menjëhershëm në sektorin e sigurisë ushqimore.
“Të informojmë sipërmarrjen për atë që e pret nga integrimi në BE, është thikë me dy presa. Njëra është horizont mundësish për ata që do jenë të përgatitur dhe ana tjetër humnerë për ata që nuk do jenë të përgatitur. Ky është realiteti. Ne duhet ta bëjmë të qartë, për të cilët janë të angazhuar, se e nesërmja do të jetë fatale, nëse sot nuk do të kuptojnë se ku janë në raport me standardet dhe se çfarë duhet të bëjnë për të qenë të përgatitur për nesër.
Procesi i negociatave është vërtet një proces negociatash ku ne na duhet pak më shumë kohë, është ajo që lidhet me këtë fushë, të sigurisë ushqimore. Ne dhe BE negociojmë për një shtyrje për tej afateve, ku standardet duhet të jenë 100% për 100% për ata që janë përfshirë në sektorin e bujqësisë. BE kanë lënë një sërë detyrash, të cilat ne përmes inspektoratit duhet të ndërveprojmë me 900 subjekte, të cilat kanë rrezikun shumë të qartë. Rreziku i mbylljes. Kjo kërkon informim”, tha kryeministri Rama.
