Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nxjerrë për konsultim publik një projekt-rregullore të re që synon të vendosë një standard të unifikuar për qëndrueshmërinë operacionale digjitale në të gjithë sektorin financiar jobankar, duke reflektuar qartësisht orientimin drejt rritjes së sigurisë kibernetike dhe rezistencës ndaj rreziqeve teknologjike.
Në thelb, drafti synon të krijojë një kuadër të plotë rregullator për menaxhimin e rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), duke përfshirë jo vetëm institucionet financiare të licencuara, por edhe ofruesit e shërbimeve teknologjike që operojnë si palë të treta në këtë treg.
Rregullorja përcakton se subjektet financiare – që nga shoqëritë e sigurimit, fondet e investimit, ndërmjetësit financiarë, deri tek ofruesit e kripto-aseteve dhe crowdfunding – duhet të ndërtojnë sisteme të forta për menaxhimin e rrezikut TIK, të afta për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve edhe në rast incidentesh apo sulmesh kibernetike.
Një nga shtyllat kryesore të projekt-rregullores është detyrimi për raportimin e incidenteve madhore TIK pranë AMF-së, si dhe njoftimi – edhe mbi bazë vullnetare – i kërcënimeve të rëndësishme kibernetike. Kjo pritet të rrisë ndjeshëm transparencën dhe ndërveprimin ndërmjet institucioneve dhe autoritetit mbikëqyrës, në një kohë kur rreziqet digjitale po bëhen gjithnjë e më komplekse.
Në të njëjtën kohë, drafti vendos një fokus të fortë tek testimi i qëndrueshmërisë operacionale digjitale, përfshirë testet e avancuara të depërtimit të bazuara në kërcënime reale (TLPT), si dhe detyrimin për auditime të brendshme të rregullta mbi sistemet TIK. Këto mekanizma synojnë të sigurojnë që institucionet jo vetëm të reagojnë ndaj incidenteve, por edhe të parandalojnë dhe të identifikojnë në kohë dobësitë në sistemet e tyre.
Një element tjetër me rëndësi është menaxhimi i rrezikut nga palët e treta, veçanërisht nga ofruesit e shërbimeve TIK. Projekt-rregullorja kërkon që institucionet financiare të kenë politika të qarta për marrëdhëniet kontraktuale me këta ofrues, si dhe strategji daljeje për rastet kur bashkëpunimi duhet të ndërpritet pa cenuar vazhdimësinë e shërbimeve.
Në nivel qeverisjeje, përgjegjësia për menaxhimin e rrezikut TIK i atribuohet drejtpërdrejt organeve drejtuese të institucioneve financiare, të cilat duhet të miratojnë strategjitë për qëndrueshmërinë digjitale, të përcaktojnë nivelin e tolerancës ndaj rrezikut dhe të sigurojnë burimet e nevojshme për implementimin e tyre.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm lidhet me vazhdimësinë e biznesit dhe rikuperimin nga incidentet, ku subjektet detyrohen të hartojnë plane të detajuara reagimi, rikuperimi dhe komunikimi në rast krizash, si dhe të testojnë këto plane të paktën një herë në vit.
Projekt-rregullorja gjithashtu reflekton qartë harmonizimin me kuadrin europian, duke u lidhur me direktiva si ajo për sigurinë kibernetike (NIS2), çka tregon një hap tjetër në drejtim të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së. /ekofin.al
