Kryeministri Edi Rama reagoi pas zjarrit të rënë një ditë më parë në një pallat në Tiranë, duke garantuar se godina do të rindërtohet plotësisht nga vetë kompania ndërtuese. Ai theksoi se, pavarësisht të dhënave paraprake që nuk lidhin shkakun e zjarrit me ndërtimin, qytetarët e dëmtuar nuk do të lihen vetëm përballë pasojave.
Rama nënvizoi gjithashtu se barra financiare nuk mund t’u kalojë taksapaguesve, duke e cilësuar rastin si një shembull të qartë për rëndësinë e sigurimit të banesave. Ndërkohë, ai shprehu mirënjohje për zjarrfikësit dhe forcat e rendit për ndërhyrjen që mundësoi shpëtimin e jetëve të rrezikuara.
Postimi i Ramës: Pallati që u dogj dje në Tiranë, do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht se nga të dhënat paraprake shkaku i zjarrit s’ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse ne nuk mund t’i lemë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë një dëm të cilin duhet ta paguanin sigurimet – rast kuptimplotë për të kuptuar të gjithë se sigurimi i shtëpisë nga fatkeqësitë është i domosdoshëm. Gjithësesi, të gjithë familjarëve të dëmtuar u them të ndjehen të qetë nga kjo anë dhe iu uroj vetëm shëndet, duke falenderuar nga zemra zjarrfikësit e forcat e rendit për punën heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve të rrezikuara.
