Me hyrjen e vitit të ri 2025, paketat e duhanit, si edhe cigaret elektronike janë shtrenjtuar me të paktën 5 lekë për paketë.
Duke filluar nga viti 2022, është miratuar një skedul i ri 5 vjeçar për rritjen e nivelit të akcizës se cigareve dhe duhanit.
Në projeksionet e Qeverisë, gjatë vitit 2025, rreth 852 milionë lekë parashikohet të jenë të ardhurat shtesë nga akciza e cigareve, si dhe 20% TVSH-ja mbi këtë shumë të rritur akcize. Kalendari për akcizën për cigaret dhe duhanet synon të zgjerohet edhe përtej vitit 2027.
Sipas të dhënave nga Financat deri në fund të 11-mujorit 2024 importi i duhanit ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar. Kështu deri në nëntor 2024 ishin importuar rreth 2844 tonë duhan, përkundrejt 2924 tonë të të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Shqipëria aplikon akcizat me tarifë specifike për njësi dhe niveli i akcizave të mallrave kryesore që ngarkohen me akcizë si karburantet dhe duhanet, është përgjithësisht me i ulët se nivelet e akcizave që zbatohen nga vendet e BE-së.
Rritja graduale e akcizës për duhanin synon reduktimin e përdorimit të tij si masë në mbrojtje të shëndetit. /ekofin.al

