Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar rritje pagash edhe për Policinë Bashkiake, me ndërhyrje të përshkallëzuara sipas kategorive.
Në majë të piramidës, paga bazë për Drejtorin e Përgjithshëm rritet nga 126,300 lekë në 158,875 lekë bruto, duke shënuar një rritje prej rreth 25.8%. Për Drejtorët e Drejtorive, paga kalon nga 107,000 lekë në 130,000 lekë, ose rreth 21.5%, ndërsa për përgjegjësit e sektorëve nga 86,500 lekë në 105,000 lekë, me një rritje prej rreth 21.4%.
Në nivelet operative, rritja është gjithashtu e ndjeshme. Paga për Inspektor I (Specialist I) rritet nga 65,200 lekë në 80,000 lekë, ose rreth 22.7%, ndërsa për Inspektor II (Specialist II) nga 52,000 lekë në 76,000 lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 46.1%, një nga më të lartat në të gjithë strukturën. Ndërkohë, për Inspektorin e Policisë Bashkiake rritja është më e moderuar, nga 81,800 lekë në 83,845 lekë, ose rreth 2.5%.
Po kështu, paga për polic bashkiak rritet nga 42,000 lekë në 72,000 lekë, që përkthehet në një rritje prej rreth 71.4%. Për pozicionet si protokoll/arkiv apo magazinier, paga rritet nga 41,700 lekë në 57,000 lekë (+36.7%). Punonjësit e shërbimit kalojnë nga 41,400 lekë në 56,500 lekë (+36.5%), shoferët nga 41,000 lekë në 56,000 lekë (+36.6%), ndërsa pastruesit nga 40,000 lekë në 54,000 lekë (+35%).
Vendimi konfirmon formulën e ndryshuar në vitin 2024 të shtesës për vjetërsi në punë. Ndërsa në vitin 2023, kjo shtesë ishte 2% për çdo vit pune deri në 25 vite, por llogaritej mbi pagën e grupit.
Me skemën e re, shtesa për vjetërsi për kategorinë I llogaritet mbi pagën e pozicionit, që është shumë më e lartë, edhe pse norma është bërë progresive: 0.6% për 10 vitet e para, 0.8% për 10 vitet e dyta dhe 1% për vitet pasuese.
Për kategorinë II, formula mbetet e njëjtë, 1% për çdo vit pune deri në 25 vite mbi pagën bazë, por për shkak të rritjes së pagave bazë, rritet automatikisht edhe vlera e shtesës. Për shembull, për Policin Bashkiak, shtesa maksimale rritet nga rreth 10,500 lekë në 18,000 lekë. /ekofin.al

