Auditimet e realizuara gjatë vitit 2025 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit mbi sistemet online tregojnë se institucionet ligjzbatuese operojnë me mekanizma të pamjaftueshëm kontrolli dhe mbikëqyrjeje, shpesh vetëm pjesërisht funksionalë, çka krijon hapësira për informalitet dhe abuzime.
Kjo është vetëm njëra nga gjetjet e raportit të Kontrollit të Lartë i Shtetit (KLSH), në raportin e fundit të performancës, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit në institucionet publike në Shqipëri.
Ndërkohë, koordinimi ndërinstitucional mbetet i dobët, pavarësisht ekzistencës së marrëveshjeve të bashkëpunimit që nuk po shfrytëzohen për shkëmbim informacioni dhe veprime të përbashkëta.
Në fushën e sigurisë kibernetike, auditimi i infrastrukturës e-Taxation zbuloi mungesë metodologjie për identifikimin e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe mungesë mekanizmash ligjorë e teknikë për administrimin efektiv të të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. U konstatuan gjithashtu probleme si mosrespektimi i distancës minimale mes qendrave rezervë, mungesë dokumentacioni për trajnime dhe vakanca në strukturat e monitorimit.
Në veçanti, për sistemin e-Taxation, KLSH vlerëson se dobësitë në menaxhimin e infrastrukturës dhe mungesa e kontrolleve të plota të sigurisë rrisin ndjeshëm rrezikun për integritetin dhe konfidencialitetin e të dhënave tatimore. Mungesa e procedurave të qarta për administrimin e regjistrave dhe kontrollin e aksesit, së bashku me kapacitetet e kufizuara monitoruese, e bëjnë sistemin më të ekspozuar ndaj incidenteve kibernetike dhe ndërprerjeve të mundshme të shërbimit.
Në përgjithësi, auditimet e sistemeve IT në institucione qendrore dhe vendore nxjerrin në pah dobësi strukturore dhe problematika të përsëritura. Këto përfshijnë mungesën e politikave dhe procedurave të formalizuara, kontrolle të dobëta të sigurisë (si firewall, antivirus, enkriptim dhe monitorim), si dhe dhënie të pakufizuar të të drejtave administrative pa gjurmueshmëri të veprimeve.
Raporti thekson gjithashtu mungesë kapacitetesh të specializuara në IT, struktura të paplota dhe staf të pa trajnuar, duke ndikuar negativisht në menaxhimin e sistemeve. Probleme serioze janë konstatuar edhe në administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave, për shkak të mungesës së enkriptimit, kontrollit të dobët të aksesit dhe mungesës së procedurave për backup dhe rikuperim.
Po ashtu, janë gjetur mangësi në funksionalitetin e sistemeve, mungesë dokumentacioni teknik dhe dobësi në kontrollin e ndryshimeve, si dhe mungesë e planeve të vazhdimësisë së shërbimeve dhe rimëkëmbjes. Këto mangësi, rrisin rrezikun për ndërprerje dhe incidente në shërbimet publike, thekson raporti i KLSH. /ekofin.al
