Kompanitë e udhëtimit Rome2Rio dhe Omio po integrohen me OpenAI, duke u dhënë mbi 900 milionë përdoruesve javorë të ChatGPT akses të menjëhershëm në itinerare, çmime dhe opsione transporti në mbarë botën.
Nga vrapimi për të kapur avionin te ankthi gjatë fluturimit për mënyrën si të arrish në hotel në një vend të huaj, stresi i udhëtimit mund të bëhet shpejt pjesë e së kaluarës, pasi inteligjenca artificiale premton ta bëjë të gjithë përvojën më të rrjedhshme, ndoshta edhe paksa të parashikueshme.
Dy platforma globale të udhëtimit po lançojnë aplikacione me OpenAI për t’u ofruar përdoruesve të ChatGPT akses në itinerare, çmime dhe opsione transporti në nivel global. Rome2Rio dhe kompania e saj mëmë gjermane, Omio, kanë njoftuar se do të integrojnë opsione aplikacionesh brenda ChatGPT, duke u mundësuar përdoruesve të kërkojnë, krahasojnë dhe planifikojnë udhëtime me tren, autobus, avion, traget dhe mjete të tjera transporti.
Gjetja e rrugës më të mirë midis dy qyteteve shpesh kërkon përdorimin e disa faqeve rezervimi për të kombinuar lidhjet, por aplikacionet e reja të fuqizuara nga AI po e ndryshojnë këtë. Përdoruesit mund të pyesin thjesht: “Cila është rruga më e shpejtë dhe më e lirë nga Roma në Firence këtë të shtunë?” dhe të marrin gjithçka në një bisedë të vetme.
Sipas një studimi të Rome2Rio, një në tre udhëtarë tashmë përdor AI për të planifikuar udhëtimet, shpesh duke iu drejtuar teknologjisë edhe përpara se të zgjedhin destinacionin.
Megjithëse AI ende nuk është perfekte dhe mund të “halucinojë” apo të gjenerojë informacion të pasaktë, kompanitë e udhëtimit theksojnë se përdorin të dhëna në kohë reale dhe jo vlerësime të krijuara nga AI.
“Ka një tren të vërtetë, një autobus të vërtetë, një traget dhe gjithçka është e lidhur përmes API-ve dhe integrimeve të thella teknike,” tha për Euronews Next Naren Shaam, themelues dhe CEO i Omio. “Çdo gjë që ndërtohet mbi këtë është përmbajtje reale.”
Sipas tij, teknologjia është projektuar për të reduktuar “halucinimet” e AI duke u mbështetur në inventar të verifikuar, në vend që të gjenerojë informacion të përafërt për udhëtimet.
AI mund të përmirësojë gjithashtu përvojën gjatë udhëtimit, duke njoftuar për ndërprerje dhe duke ofruar alternativa. “Nëse ka një ndërprerje në një linjë, në teori duhet të të dërgojmë një mesazh: ‘Ka gjasa për ndërprerje. Ja disa alternativa për t’u konsideruar’,” tha ai, duke shtuar se edhe pse ndryshimet e minutës së fundit mund të kushtojnë më shumë, synimi është që udhëtimi të bëhet “më transparent dhe të ndihmojë klientët të marrin vendime të informuara”.
Megjithatë, përveç komoditetit, ekziston edhe frika se nëse të gjithë përdorin AI për të planifikuar udhëtimet, destinacionet tashmë të mbingarkuara nga turizmi mund të bëhen edhe më të populluara.
Po ashtu shtrohet pyetja nëse algoritmet do të zbehin shpirtin e aventurës, zbulimin rastësor të një rruge të panjohur, një qyteti jashtë itinerarit apo një vendimi spontan në stacion.
Sistemet e AI trajnohen mbi të dhëna popullariteti dhe priren të përforcojnë modele ekzistuese, duke orientuar përdoruesit drejt itinerareve dhe eksperiencave që dominojnë kërkimet online.
Shaam e pranon këtë rrezik, por argumenton se efekti mund të jetë edhe i kundërt. “AI mund t’i fuqizojë njerëzit të zbulojnë më shumë rrugë,” tha ai. “Duhet të bësh më shumë pyetje që të hyjë më thellë në kontekst dhe të ofrojë itinerare më unike.”
Ideja është që AI bisedore, ndryshe nga një motor kërkimi klasik, nxit pyetje të mëtejshme dhe mund ta çojë një përdorues nga një pyetje për një natë në Madrid, drejt eksplorimit të pjesëve të tjera të Spanjës.
Sipas Shaam, zbulimi i drejtuar nga AI mund të ndihmojë edhe në shpërndarjen e turizmit përtej qyteteve të mbingarkuara, duke orientuar udhëtarët drejt destinacioneve dytësore përmes lidhjeve me tren apo autobus.
“Nëse shkon në Spanjë dhe nuk viziton vetëm Madridin dhe Barcelonën, por edhe Seviljen, Granadën apo Bilbaon, këto janë udhëtime me tren prej dy deri në dy orë e gjysmë,” tha ai. “Nëse AI e bën këtë udhëtim të mundur, është diçka pozitive edhe për ekonomitë lokale.”
Për momentin, Omio e sheh AI si një mjet që menaxhon logjistikën, duke lënë të paprekur shpirtin e aventurës në udhëtim./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
