Gjatë vitit 2025, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka trajtuar 139 kërkesa/informacione, nga të cilat 134 janë përfunduar brenda vitit, ndërsa 5 janë mbartur për trajtim në vitin pasardhës. Krahasuar me vitin 2024, kur u regjistruan 145 raste, fluksi mbetet pothuajse në të njëjtin nivel.
Pjesa më e madhe e rasteve, rreth 86%, lidhen me marrëdhëniet e punës në administratën publike dhe kanë shërbyer si bazë për nisjen e proceseve të verifikimit dhe inspektimit administrativ. Nga 139 informacionet e verifikuara, në 124 raste procesi është iniciuar nga vetë Komisioneri mbi bazën e sinjalizimeve të administruara, ndërsa vetëm në 15 raste ka nisur me kërkesë të institucioneve.
Në këtë kuadër, një dimension i rëndësishëm i punës së Komisionerit gjatë vitit 2025 ka qenë ndërtimi i qëndrimeve unifikuese, me synim standardizimin e praktikave administrative dhe rritjen e sigurisë juridike në shërbimin civil.
Një nga këto çështjet lidhet me pezullimin nga shërbimi civil. Në praktikë janë evidentuar raste ku institucionet kanë mbajtur qëndrime të pasakta lidhur me momentin dhe mënyrën e pezullimit, veçanërisht në rastet e pezullimit me kërkesë të nëpunësit civil. Komisioneri ka sqaruar se pezullimi duhet të zbatohet në përputhje të plotë me afatet dhe procedurat ligjore, duke shmangur interpretimet e gabuara që mund të cenojnë të drejtat e nëpunësve.
Po ashtu, është trajtuar nevoja për unifikim në rastet e procedurave disiplinore në shërbimin civil. Është theksuar se organi administrativ ka detyrimin të kryejë një hetim të plotë dhe të paanshëm përpara se të marrë vendime disiplinore, duke respektuar parimet e proporcionalitetit dhe individualizimit të masës. Kjo qasje synon të shmangë vendimmarrjen arbitrare dhe të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë nëpunësit civilë.
Aspekt tjetër që lidhet me klasifikimin dhe kategorizimin e pagës në nivelin ekzekutiv. Janë hasur raste ku punonjësit janë vendosur në pozicione apo nivele page që nuk përputhen plotësisht me përshkrimin e punës apo kuadrin ligjor. Komisioneri ka orientuar institucionet që të harmonizojnë strukturat organizative dhe sistemin e pagave me legjislacionin përkatës, për të garantuar trajtim të drejtë dhe të barabartë.
Po kështu, problematike janë edhe transferimet e përkohshme në shërbimin civil, ku në disa raste janë konstatuar zbatime të gabuara të procedurave apo përdorim jokorrekt i këtij mekanizmi. Komisioneri ka theksuar nevojën që këto transferime të bëhen vetëm në përputhje me ligjin dhe për nevoja reale të institucionit, duke shmangur përdorimin e tyre si zgjidhje të përkohshme për problematika strukturore./ekofin.al

