Zbatimi i Inteligjencës Artificiale në sektorin publik po avancon me ritme të shpejta, por institucionet mbeten pas në ndërtimin e mekanizmave të sigurisë, matjes së performancës dhe kapaciteteve njerëzore. Ky është konkluzioni kryesor i auditimit paralel të realizuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili evidenton një hendek të qartë midis ambicies për digjitalizim dhe aftësisë reale për ta qeverisur atë.
Siguria e informacionit mbetet pika më e ndjeshme
Auditimi nxjerr në pah se institucionet kanë ndërgjegjësim të lartë për rreziqet që lidhen me Inteligjencën Artificiale, veçanërisht për rrjedhjen e të dhënave dhe aksesin e paautorizuar. Megjithatë, ky ndërgjegjësim nuk shoqërohet me zbatim të qëndrueshëm të protokolleve të sigurisë.
Sipas KLSH-së, mungojnë politika të unifikuara dhe të detyrueshme për sigurinë kibernetike dhe privatësinë në përdorimin e AI, ndërsa përvoja në menaxhimin e incidenteve është ende e kufizuar. Në këtë kontekst, institucioni thekson se siguria e AI nuk është thjesht çështje teknike, por sfidë e drejtpërdrejtë e qeverisjes publike.
Rekomandimet fokusohen në vendosjen e standardeve bazë të detyrueshme, trajnimin e stafit sipas roleve dhe forcimin e gjurmueshmërisë së proceseve gjatë gjithë ciklit të jetës së sistemeve.
Të dhënat, “hallka e dobët” e zhvillimit të AI
Një nga pengesat kryesore mbetet cilësia dhe aksesueshmëria e të dhënave. Edhe pse ekzistojnë politika për ndarjen e tyre, në praktikë institucionet përballen me kufizime rregullatore, mungesë ndërveprueshmërie dhe nivele të ndryshme të gatishmërisë digjitale.
Auditimi evidenton një model të përsëritur në shumë vende: politikat dhe platformat ndërtohen më shpejt sesa ndikimi i tyre real. Pra, ekzistojnë “rregulla për ndarjen e të dhënave”, por jo gjithmonë kushtet operative për t’i bërë ato funksionale.
KLSH rekomandon qartësi më të madhe në qeverisjen e të dhënave, thjeshtim të proceseve dhe ndërtimin e mekanizmave të auditueshmërisë, në mënyrë që ripërdorimi i të dhënave të jetë i provueshëm dhe jo vetëm deklarativ.
Projektet me AI: efikasitet pa matje të plotë të ndikimit
Në sektorin publik po shfaqen gjithnjë e më shumë raste konkrete përdorimi të Inteligjencës Artificiale, sidomos në procese me volum të lartë pune, duke sjellë përmirësime në produktivitet. Por, sipas KLSH, mungon një sistem i konsoliduar për monitorimin dhe vlerësimin e këtyre projekteve.
Treguesit aktualë fokusohen kryesisht në efikasitet, ndërsa lihen në plan të dytë elementë të rëndësishëm si cilësia e shërbimit, performanca e modeleve, qëndrueshmëria dhe menaxhimi i rreziqeve.
Në këtë drejtim, kërkohet ndërtimi i një panorame të plotë të projekteve me AI, standardizimi i raportimit dhe përdorimi i kornizave të balancuara të vlerësimit, në mënyrë që vendimmarrja të mbështetet në evidencë dhe jo vetëm në perceptim.
Mungesa e ekspertëve, pengesa kryesore
Auditimi identifikon kapitalin njerëzor si kufizimin më të madh për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Të gjitha vendet e përfshira raportojnë mungesë ekspertësh dhe studiuesish në këtë fushë, ndërsa programet e trajnimit janë ende të fragmentuara.
Një tjetër shqetësim është dobësia në mbajtjen e roleve kyçe të drejtimit dhe mbikëqyrjes, duke rritur varësinë nga ofruesit e jashtëm.
KLSH-ja thekson se gatishmëria për AI varet më shumë nga njerëzit sesa nga teknologjia, duke rekomanduar strategji të integruara për zhvillimin e aftësive, krijimin e qendrave të ekspertizës dhe forcimin e politikave të rekrutimit dhe mbajtjes së stafit.
Varësia nga ofruesit e jashtëm në përpunimin e gjuhës
Në fushën e përpunimit të gjuhës natyrore (NLP), shumica e vendeve po zhvillojnë kapacitete në gjuhët vendase, por modeli dominues mbetet ai i jashtëm ose hibrid. Kjo krijon rreziqe për varësi afatgjatë dhe sfida në qeverisjen e sistemeve.
Sipas auditimit, NLP duhet të trajtohet si një kapacitet i përbashkët dhe i ripërdorshëm, ndërsa në rastet kur përdoren ofrues të jashtëm, duhet të përcaktohen qartë përgjegjësitë për mirëmbajtjen, monitorimin dhe menaxhimin e rreziqeve.
Pesë pengesat kryesore për AI në sektorin publik
Analiza e KLSH identifikon disa barriera strukturore që frenojnë zhvillimin e Inteligjencës Artificiale në administratë:
- 92%: mungesa e kapitalit njerëzor dhe aftësive
- 67%: infrastruktura dhe kapacitetet teknologjike
- 67%: kufizimet financiare dhe buxhetore
- 50%: sfidat e qeverisjes dhe koordinimit
- 50%: boshllëqet ligjore dhe rregullatore, si dhe rezistenca kulturore

Konkluzioni: teknologjia po ecën më shpejt se institucionet
Auditimi i KLSH-së evidenton realitetin se Inteligjenca Artificiale po adoptohet më shpejt sesa po ndërtohen strukturat për ta menaxhuar atë. Pa standarde të unifikuara, pa kapacitete njerëzore dhe pa mekanizma të fortë kontrolli, rreziku është që përfitimet e AI të mbeten të pjesshme, ndërsa ekspozimi ndaj rreziqeve të rritet.
Suksesi i Inteligjencës Artificiale në sektorin publik nuk varet vetëm nga teknologjia, por nga aftësia e shtetit për ta qeverisur atë në mënyrë të sigurt, të matshme dhe të qëndrueshme./ekofin.al

