Ndër startup-et kryesore evropiane në fushën e energjisë së fuzionit, Proxima Fusion po punon me stellaratorët, një teknologji e përdorur më pak në këtë sektor.
Që nga fillimi i luftës në Iran më 28 shkurt, energjia është rikthyer në krye të agjendës ndërkombëtare.
Konflikti dhe vendimi i mëpasshëm i Iranit për të kufizuar ndjeshëm dërgesat përmes Ngushticës së Hormuzit — një rrugë jetike për transportin global të naftës — kanë shkaktuar atë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë e ka përshkruar si ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut të naftës.
Kjo krizë i ka shtyrë politikëbërësit evropianë të rishikojnë varësinë nga karburantet fosile të importuara dhe të kërkojnë alternativa vendore.
Energjitë e rinovueshme dhe ajo bërthamore janë ndër opsionet alternative. Dhe kjo e fundit nuk lidhet vetëm me ndarjen bërthamore (fisionin) e njohur dhe shpesh të debatueshme.
Ekziston një tjetër formë e energjisë bërthamore — fuzioni — që, sipas disa ekspertëve, mund të ndihmojë në zgjidhjen afatgjatë të krizës energjetike të Evropës.
Sipas Francesco Sciortino, CEO dhe bashkëthemelues i startup-it gjerman Proxima Fusion, energjia e fuzionit luan “të gjitha rolet” në forcimin e sigurisë energjetike në Evropë.
Por çfarë është fuzioni bërthamor dhe çfarë teknologjie përdor Proxima Fusion për ta realizuar atë?
Energjia e fuzionit: një burim premtues?
Energjia e fuzionit është një nga dy mënyrat — krahas fisionit bërthamor — për të prodhuar energji përmes reaksioneve bërthamore.
Fisioni bërthamor është procesi më i njohur, ai që zakonisht lidhet me centralet dhe mbetjet bërthamore, dhe çliron energji kur bërthama e një atomi të rëndë ndahet.
Ndërsa fuzioni bërthamor prodhon energji duke bashkuar bërthama atomike të lehta.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), energjia e fuzionit ka potencialin të prodhojë katër herë më shumë energji për kilogram karburanti sesa fisioni bërthamor dhe gati katër milionë herë më shumë sesa djegia e naftës apo qymyrit.
Për më tepër, fuzioni nuk prodhon emetime CO2, nuk gjeneron mbetje radioaktive afatgjata, konsiderohet më i sigurt se fisioni dhe është më i parashikueshëm se energjitë e rinovueshme.
Megjithatë, pavarësisht potencialit, energjia e fuzionit ende nuk është një realitet komercial.
Krijimi dhe mbajtja e një reaksioni fuzioni është sfidë dhe kërkon energji të madhe hyrëse, ndaj ekspertët ende po punojnë për të provuar se ai mund të prodhojë më shumë energji dhe vlerë ekonomike sesa konsumon.
Proxima Fusion dhe teknologjia stellarator
Një nga projektet që synon këtë objektiv është Proxima Fusion, një startup me bazë në Mynih, i krijuar në vitin 2023 nga Instituti Max Planck për Fizikën e Plazmës.
Ndryshe nga shumica e projekteve evropiane dhe ndërkombëtare, si JET dhe ITER, Proxima Fusion nuk përdor tokamakë, por stellaratorë për të krijuar reaksionin e fuzionit.
Të dyja janë pajisje në formë torusi (si një unazë), që përdorin fusha magnetike për të mbajtur plazmën — një gjendje e materies dhe element kyç për fuzionin. Dallimi qëndron në mënyrën se si e stabilizojnë plazmën në temperatura jashtëzakonisht të larta.
Të dyja teknologjitë kanë avantazhe dhe mangësi. Stellaratorët janë më të vështirë për t’u projektuar dhe prodhuar, por më të lehtë për t’u operuar, mund të funksionojnë vazhdimisht dhe janë natyrshëm më të qëndrueshëm.
Edhe pse më pak të përhapur se tokamakët, sipas IAEA-së, stellaratorët mund të bëhen opsioni i preferuar për centralet e ardhshme të fuzionit — dhe Proxima Fusion po punon pikërisht në këtë drejtim.
“Alpha është pajisja e fundit që duhet të ndërtojmë para se të kalojmë në një central fuzioni me kushte operimi komercial,” tha Sciortino.
Alpha është një demonstrues që do të testojë funksionimin e stellaratorit dhe nëse ai mund të arrijë fitim neto energjie — pra nëse plazma prodhon aq energji sa kërkohet për ta ngrohur atë.
Aktualisht Alpha është në fazë prodhimi dhe synohet të jetë funksional në fillim të viteve 2030.
Paralelisht, Proxima Fusion po zhvillon Stellaris, centrali i parë komercial i fuzionit në botë.
Qëllimi është të krijohet një teknologji e shkallëzueshme dhe ekonomikisht e qëndrueshme.
Sciortino synon që Stellaris të jetë funksional në gjysmën e dytë të viteve 2030.
“Jemi në fazën e krijimit të një industrie të re. Nuk bëhet fjalë vetëm për një kompani, por për të siguruar që zinxhiri i furnizimit të investojë dhe të përshpejtojë gjithë këtë fushë,” tha ai.
E ardhmja e fuzionit në Gjermani dhe Evropë
Centrali Stellaris planifikohet të ndërtohet në një ish-central bërthamor në Gudremmingen, Gjermani.
Ky vend përfundoi daljen nga energjia bërthamore me fision në prill 2023 dhe tani po investon në zhvillimin e fuzionit.
Në tetor 2025, qeveria gjermane prezantoi një plan veprimi për të përshpejtuar teknologjinë e fuzionit, duke parashikuar investime mbi 2 miliardë euro deri në vitin 2029.
Sipas Sciortino-s, Gjermania po e kupton gjithnjë e më shumë potencialin e fuzionit.
Ai thekson se fuzioni mund të jetë një mundësi e madhe ekonomike për Evropën, për shkak të mungesës së burimeve natyrore dhe nevojës për sovranitet energjetik.
Zëra skeptikë
Pavarësisht entuziazmit, disa ekspertë mbeten skeptikë.
Një studim i publikuar në Nature Energy argumenton se kostot e ardhshme të centraleve të fuzionit janë shumë të pasigurta dhe se ulja e kostove mund të jetë më e ngadaltë sesa pritet.
Studimi sugjeron se norma e përvojës (ulja e kostos me rritjen e përdorimit) mund të jetë vetëm 2–8%, krahasuar me 8–20% të parashikuara më parë.
Sipas studiuesit Lingxi Tang, kjo diferencë lidhet me mungesën e analizave të forta dhe me një “paragjykim optimizmi”, sidomos në komunitetin e investimeve private, që priret të mbivlerësojë potencialin e teknologjisë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
