Në Evropë, Greqia është vendi më i prekur deri tani, me të paktën 75 anije të bllokuara në rajon.
Kompanitë detare nga Greqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina janë ndër më të goditurat nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, sipas të dhënave të Bloomberg dhe organizatave të trafikut detar.
Gjatë 48 orëve të fundit, rreth 670 anije mallrash janë regjistruar duke pritur në anën perëndimore të ngushticës. Prej tyre, 120 janë në pronësi të kompanive me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ose rreth 18% e totalit.
Pozicionet e anijeve gjurmohen përmes sistemit AIS (Automatic Identification System), një teknologji transmetimi e detyrueshme për shumicën e anijeve tregtare, që transmeton vazhdimisht vendndodhjen, shpejtësinë dhe identitetin e tyre. Megjithatë, numri real mund të jetë më i lartë, pasi disa anije mund të kenë çaktivizuar sistemet e gjurmimit.
Greqia dhe Kina ndër më të goditurat
Pas Emirateve, Greqia renditet e dyta më e prekur, me kompani greke që operojnë të paktën 75 anije mallrash në ngushticë që nga nisja e konfliktit — rreth 12% e totalit.
Rreth 30 prej tyre janë cisterna nafte ose gazi, sipas analizës së të dhënave të Bloomberg.
Kompanitë kineze kanë 74 anije mallrash në zonë, nga të cilat 25 janë cisterna nafte dhe gazi, ndërsa pjesa tjetër janë anije për mallra të thata dhe kontejnerë.
Edhe vende të tjera aziatike janë prekur ndjeshëm. Kompanitë japoneze kanë të paktën 23 anije energjie dhe 16 për mallra të thata në ngushticë.
Ndërkohë, 25 anije të lidhura me Hong Kongun — 13 për energji dhe 12 për mallra të thata — janë gjithashtu të pranishme, ndërsa kompani nga India kanë 24 cisterna në rajon.
Po ashtu, kompani nga Singapori dhe Koreja e Jugut kanë përkatësisht 29 dhe 22 anije të bllokuara që nga fillimi i konfliktit, ndërsa Vietnami ka tre transportues të mëdhenj LNG.
Supertankerë të bllokuar
Rreth 50 anije shumë të mëdha për transportin e naftës (VLCC) duket se janë bllokuar, së bashku me 11 transportues shumë të mëdhenj gazi.
Koreja e Jugut zotëron shtatë prej këtyre VLCC-ve, ndërsa Kina dhe Japonia nga gjashtë secila dhe Greqia pesë.
Nga 225 kalime të realizuara nga anijet mallrash që nga fillimi i konfliktit, mbi 40 janë kryer nga anije iraniane, sipas kompanisë së analizës detare Kpler.
Rreth 60 kalime të tjera janë kryer nga anije që nuk mbajnë flamur iranian apo nuk janë në pronësi të drejtpërdrejtë të Iranit, por janë të sanksionuara nga SHBA.
Rreth 35 kalime janë realizuar nga anije në pronësi greke, përfshirë tetë nga një kompani e vetme, Dynacom Tankers Management.
Të paktën 20 anije të lidhura me Kinën dhe 13 me Indinë kanë kryer gjithashtu kalime.
Disa anije duket se kanë përfituar nga një sistem verifikimi, sipas të cilit Irani u jep kalim të sigurt anijeve nga vendet mike.
Ndërkohë, qindra anije mbeten në pritje, ndërsa kostot e sigurimit rriten dhe rreziqet për ekuipazhin dhe ngarkesën mbeten shumë të larta./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
