Sistemi financiar shqiptar e mbylli gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 në një trajektore të qëndrueshme, me tregues që konfirmojnë forcimin e mëtejshëm të sektorit bankar dhe rezistencën ndaj goditjeve të mundshme. Ky është përfundimi kryesor i Raportit të Stabilitetit Financiar të miratuar nga Banka e Shqipërisë, i cili vlerëson në mënyrë periodike rreziqet dhe qëndrueshmërinë e sistemit. Dokumenti shoqërohet me Deklaratën e Stabilitetit Financiar, një detyrim ligjor që synon transparencë dhe komunikim të qartë me tregun.
Në planin e zhvillimeve konkrete, sektori bankar ka shënuar përshpejtim të aktivitetit gjatë kësaj periudhe, i mbështetur kryesisht nga rritja e depozitave dhe e kapitalit. Këto burime janë kanalizuar në kreditim dhe investime në tituj, duke reflektuar një funksionim normal të ndërmjetësimit financiar. Edhe pse fitimi neto i sektorit mbeti pozitiv, ai rezultoi disi më i ulët krahasuar me një vit më parë, çka sugjeron një normalizim të fitueshmërisë pas niveleve më të larta të periudhave të mëparshme.
Nga këndvështrimi i rrezikut, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekspozimet që burojnë nga ndërlidhjet mes sektorit bankar dhe segmenteve të tjera të sistemit financiar mbeten të kontrolluara. Treguesit e kapitalizimit dhe likuiditetit vijojnë të qëndrojnë në nivele të shëndosha, ndërsa ushtrimet e provës së rezistencës konfirmojnë aftësinë e sektorit për të përballuar skenarë të pafavorshëm. Megjithatë, banka qendrore thekson se institucionet financiare duhet të vijojnë të forcojnë mekanizmat e menaxhimit të rrezikut, të testojnë rregullisht qëndrueshmërinë dhe të ruajnë buffers të mjaftueshëm kapitali.
Kjo performancë e sistemit financiar mbështetet nga një mjedis makroekonomik pozitiv. Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, e nxitur nga konsumi dhe investimet, ndërkohë që turizmi ka mbetur një nga motorët kryesorë të zgjerimit. Në të njëjtën kohë, tregu i punës ka shënuar përmirësime të mëtejshme, me rritje të punësimit dhe pagave, ndërsa niveli i papunësisë ka vijuar të ulet. Politika fiskale ka mbetur e kujdesshme, duke reflektuar në një rënie të mëtejshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së.
Në frontin e çmimeve, presionet inflacioniste kanë mbetur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke krijuar hapësira për një mjedis financiar relativisht të qëndrueshëm. Megjithatë, raporti nënvizon se rreziqet nuk mungojnë dhe lidhen kryesisht me pasiguritë në arenën ndërkombëtare, të cilat mund të transmetohen në ekonomi dhe në sistemin financiar vendas. /ekofin.al
