OTP Bank Albania inauguroi në datën 30 mars një tjetër degë të realizuar sipas standardit të ri të OTP Group, duke shënuar një hap tjetër drejt transformimit të rrjetit të saj fizik në Shqipëri.
Me një pozicionim në zemër të Tiranës, në godinën DownTown 1 inaugurimi i kësaj dege konfirmon vijimësinë e një qasje të re, ku degët e bankës nuk konceptohen më thjesht si një pikë shërbimi, por si një hapësirë më funksionale, më mikpritëse dhe të përshtatur me mënyrën si klientët ndërveprojnë sot me bankën.
Ky zhvillim vjen në një moment kur sektori bankar po evoluon me ritme të shpejta dhe kur pritshmëritë e klientëve janë gjithnjë e më të lidhura me thjeshtësinë, komoditetin dhe një përvojë cilësore. Në këtë kontekst, OTP Bank po investon në një model dege që ndërthur praninë fizike me standarde të reja shërbimi, organizimi dhe komunikimi me klientin.
Lidhur me këtë strategji z. Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania u shpreh gjatë inaugurimit:
“Strategjia e Bankës OTP është të jetë një bankë model për të gjithë klientët. Degët e reja ofrojnë më shumë privatësi, më shumë hapësira digjitale por edhe një cilësi më të mirë shërbimi si për klientët, ashtu edhe për stafin tonë. Ne synojmë të jemi një nga bankat më të mëdha në vend dhe po ashtu banka më e mirë për sa i përket cilësisë së shërbimit ndaj klientit.
Hapja e kësaj dege përkon edhe me 7 vjetorin e ardhjes së Grupit OTP në Shqipëri. Që me ardhjen e tij Grupi e ka bërë të ditur që do të rritet dhe e shikon Shqipërinë si një nga vendet e preferuara për të investuar. Ne po modernizojmë gjithë infrastrukturën tonë të IT-së dhe atë Digjitale – pra po ndryshojmë sistemin tonë të mobile banking, sistemit të pagesave dhe jemi në pararojë të zhvillimeve digjitale. Motoja kryesore, njëkohësisht dhe faktori diferencues i yni është pasja e një marrëdhënie sa më të ngushtë dhe sa më të drejtë me klientët tanë.
Investimet tona do të jenë si në hapjen e degëve të tjera, ashtu edhe në drejtim të burimeve njerëzore – pra ne nuk do të ndalojmë këtu, por do të hapim degë të tjera në Tiranë, duke pasur gjithashtu dhe cilësi në stafin më të mirë në sistemin bankar.
OTP Bank Albania ka në fokus modernizimin e sistemit të pagesave dhe ofrimin e një përvoje ndryshe për klientët. Viti 2026 do të sjellë një valë investimesh.
Me inaugurimin e kësaj dege, OTP Bank Albania konfirmon angazhimin e saj për të vijuar transformimin e rrjetit fizik, duke e parë degën bankare jo vetëm si një pikë shërbimi, por si një hapësirë që rrit cilësinë e ndërveprimit me klientin dhe forcon marrëdhënien afatgjatë me të.
Dega e re Down Town në Bulevardin Bajram Curri ofron shërbime për klientët nga e hëna në të shtunë.
