Administrata Tatimore ka bërë një tjetër thirrje publike për tatimpaguesit që të përmbushin në kohë detyrimin për dorëzimin e deklaratave tatimore vjetore për vitin 2025, teksa afati përfundimtar, i unifikuar për herë të parë, mbyllet më 31 mars 2026.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në këtë datë janë dorëzuar në total 276,906 deklarata, të shpërndara sipas kategorive kryesore të tatimpaguesve. Konkretisht, 102,840 deklarata i përkasin të ardhurave nga biznesi (TAPB), 28,812 deklarata janë dorëzuar nga subjektet për tatimin mbi të ardhurat e korporatave (TAK), ndërsa pjesën më të madhe e zënë individët me 145,254 deklarata për të ardhurat personale (DIVA).
Ky volum i lartë deklarimesh në prag të afatit final konfirmon jo vetëm rritjen e ndërgjegjësimit fiskal, por edhe presionin e shtuar mbi sistemin elektronik në ditët e fundit, një fenomen i përsëritur çdo vit. Pikërisht për këtë arsye, Administrata Tatimore vijon të rekomandojë deklarimin sa më herët, për të shmangur vonesat apo vështirësitë teknike që mund të lindin nga mbingarkesa e platformës.
Detyrimi për deklarim përfshin tre kategori kryesore: individët që ushtrojnë aktivitet ekonomik dhe dorëzojnë TAPB, subjektet juridike që deklarojnë TAK, si dhe individët që deklarojnë të ardhurat personale përmes DIVA-s. Për këtë vit, risia kryesore është unifikimi i afatit për të gjitha këto deklarata, një hap që synon të thjeshtojë administrimin fiskal dhe të rrisë disiplinën në raportimin tatimor.
Nga ana tjetër, administrata thekson se mosrespektimi i afatit shoqërohet me penalitete, duke përfshirë gjoba për deklarim të vonuar apo mosdeklarim, si dhe detyrime shtesë financiare për pagesat e kryera jashtë afatit. Në këtë kontekst, deklarimi i hershëm nuk është vetëm një praktikë e rekomanduar, por një mënyrë për të minimizuar kostot shtesë dhe për të shmangur problematika administrative.
Në funksion të mbështetjes së tatimpaguesve, është vënë në dispozicion edhe linja pa pagesë e asistencës 0800 0002, ndërsa shërbimet online mbeten kanali kryesor për dorëzimin e deklaratave. /ekofin.al
