Pas gjashtë përpjekjeve të dështuara dhe një serie ndryshimesh që synonin ta bënin projektin më tërheqës për investitorët privatë, gara për ndërtimin e Kullës së Kadastrës (Lift Tower) është mbyllur sërish pa asnjë ofertë. Korporata e Investimeve Shqiptare ka anuluar në heshtje procedurën, pasi edhe pas shtyrjes së afatit nuk u paraqit asnjë ofertë konkurruese.

Ky zhvillim vjen vetëm pak javë pasi thirrja u rihap për herë të gjashtë, këtë herë me një ndryshim thelbësor në kriteret bazë: uljen e pjesës takuese për shtetin nga 45% në 40% të sipërfaqes së ndërtimit. Lëvizja u interpretua si një përpjekje e qartë për të zhbllokuar projektin, duke i ofruar më shumë hapësirë dhe potencial fitimi zhvilluesit privat. Megjithatë, edhe ky lëshim nuk rezultoi i mjaftueshëm për të tërhequr interes konkret nga tregu.
Dështimi i radhës ngre pikëpyetje serioze mbi fizibilitetin ekonomik të projektit dhe mënyrën si është konceptuar partneriteti publik-privat në këtë rast nga Korporata e Investimeve. Në teori, ulja e përqindjes publike duhet të rriste interesin e operatorëve, pasi përmirësonte raportin risk–fitim për investitorët. Në praktikë, mungesa totale e ofertave sugjeron se problematika është më e thellë sesa thjesht niveli i përqindjes së ndarjes së sipërfaqes.
Një nga arsyet kryesore mund të lidhet me koston e lartë të zhvillimit në një projekt të tillë. Ndërtimi i një kulle 40-katëshe në një zonë urbane si ajo pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit kërkon investime të konsiderueshme, jo vetëm në strukturë, por edhe në standarde teknike, infrastrukturë mbështetëse dhe kërkesa arkitektonike. Në një treg ku kërkesa për hapësira të reja komerciale dhe zyra po përballet me sinjale të përziera, investitorët mund të kenë vlerësuar se kthimi i investimit nuk justifikon riskun.
Nga ana tjetër, dështimi i përsëritur sinjalizon edhe një mungesë të qartësisë ose fleksibilitetit në strukturimin e projektit. Nëse një garë dështon pesë herë dhe nuk tërheq interes as pas një lëshimi të drejtpërdrejtë në favor të privatit, atëherë problemi mund të qëndrojë tek vetë modeli i ofertës: mënyra e ndarjes së riskut, kushtet kontraktuale apo edhe pritshmëritë mbi funksionin final të godinës.
Për vetë Korporatën, rasti i Lift Tower kthehet në një test të rëndësishëm reflektimi. Ulja e përqindjes nga 45% në 40% ishte një hap i dukshëm drejt kompromisit, por rezultati tregon se kompromiset e pjesshme nuk mjaftojnë kur modeli nuk është i balancuar. Nëse projekti do të rikthehet sërish në treg, do të kërkohet një rishikim më i thellë – jo vetëm i përqindjeve, por i gjithë arkitekturës financiare dhe funksionale. /ekofin.al
