Në edicionin e dytë të Match-Maker Albania, Shqipëria nuk u prezantua thjesht si një destinacion në zhvillim, por si një platformë konkrete investimi, ku projektet, financimi dhe partneritetet janë tashmë në fazë ekzekutimi. Aktiviteti, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), shërbeu si një hapësirë ndërkombëtare për ndërmjetësimin e investimeve, duke sjellë në një tryezë të përbashkët qeverinë, investitorët, institucionet financiare dhe aktorë globalë të teknologjisë dhe industrisë.
Në thelb, Match-Maker Albania 2 kishte një qëllim të qartë: të kalojë nga promovimi i potencialit tek strukturimi i mundësive konkrete për investim. Siç u theksua edhe nga Drejtoresha e Përgjithshme e AIDA-s, Laura Saro, “kapitali nuk ndjek potencialin – ai ndjek besimin”, duke e vendosur kështu fokusin tek elementi kyç që po pozicionon Shqipërinë në hartën e investimeve ndërkombëtare: besueshmëria institucionale dhe parashikueshmëria ekonomike.
Në këtë kuadër, eventi artikuloi katër platforma kryesore investimi, të cilat përbëjnë edhe boshtin e strategjisë së re të zhvillimit ekonomik.
Së pari, Future Estate paraqet një transformim të modelit tradicional të ndërtimit drejt zhvillimit të destinacioneve të integruara. Nuk bëhet më fjalë vetëm për ndërtim rezidencial apo turistik, por për krijimin e ekosistemeve të plota që ndërthurin turizmin elitar, zhvillimin urban dhe zonat ekonomike të lira. Ky sektor mbështetet fuqishëm nga rritja e kërkesës për turizëm cilësor dhe nga investimet e huaja direkte, të cilat vitet e fundit janë përqendruar ndjeshëm në pasuritë e paluajtshme. Shqipëria po kalon nga një treg ndërtimi në një treg asetesh.
Së dyti, Power Next vendos energjinë në qendër të ambicies rajonale të vendit. Me një bazë të fortë në energjinë e rinovueshme dhe potencial të pashfrytëzuar në diell dhe erë, Shqipëria synon të shndërrohet në një “bateri të gjelbër” për rajonin. Ajo që e bën këtë sektor veçanërisht tërheqës është fakti se zinxhiri i investimit është i plotë: nga projektet konkrete dhe gatishmëria institucionale, deri tek përfshirja e institucioneve financiare ndërkombëtare për bashkëfinancim. Kjo e zhvendos diskutimin nga potenciali teorik në një ekosistem real energjetik.
Në të njëjtën linjë transformimi, Smart Agriculture synon modernizimin e një sektori tradicionalisht të fragmentuar. Nga ullishtet shekullore tek serrat e teknologjisë së lartë, bujqësia shqiptare po orientohet drejt eksportit dhe vlerës së shtuar. Prania e startup-eve dhe zgjidhjeve teknologjike në këtë sektor tregon se inovacioni nuk është më periferik, por pjesë integrale e zhvillimit rural. Kjo platformë e pozicionon bujqësinë jo vetëm si sektor mbështetës, por si një motor të ri konkurrueshmërie.
Ndërsa Digital Horizons reflekton një nga avantazhet më të forta strukturore të Shqipërisë: kapitalin njerëzor. Me një popullsi të re dhe një rritje të shpejtë të aftësive në teknologji dhe shërbime dixhitale, vendi po ndërton një ekosistem që synon të tërheqë investime në IT, inovacion dhe shërbime të avancuara. Në këtë kontekst, siç u theksua në event, “talenti është infrastrukturë”, duke nënvizuar një ndryshim paradigme në mënyrën se si matet konkurrueshmëria e një ekonomie.
Në tërësi, këto katër platforma nuk janë thjesht prioritete sektoriale, por një arkitekturë e re zhvillimi që synon të lidhë investimet me kapacitetet reale të vendit. Ajo që bie në sy është se për herë të parë, diskursi institucional nuk ndalet tek potenciali, por shoqërohet me projekte konkrete, pipeline investimesh dhe mekanizma bashkëpunimi.
Match-Maker Albania 2 shërbeu pikërisht për këtë: të kthejë dialogun në marrëveshje dhe interesin në investim real. Nën këtë prizëm, eventi nuk ishte vetëm një forum prezantimi, por një platformë negociimi dhe ndërmjetësimi, ku synohet që memorandumet e mirëkuptimit të përkthehen në projekte infrastrukturore, energjetike, bujqësore dhe dixhitale.
Në fund, mesazhi kryesor që doli nga ky edicion është se Shqipëria po hyn në një fazë të re – nga një ekonomi që kërkon investime, në një ekonomi që strukturon dhe orienton investimet. Dhe nëse viti i kaluar ishte prezantimi, ky vit shënon fillimin e ekzekutimit. /ekofin.al
