Numri i ndërmarrjeve me kapital të huaj dhe të përbashkët në Shqipëri vijon të rritet, por më e rëndësishme se numri është pesha e tyre në ekonomi. Sipas publikimit më të fundit të INSTAT për periudhën 2022–2024, këto ndërmarrje jo vetëm që janë shtuar, por kanë një rol dominues në punësim, shitje dhe tregtinë e jashtme.
Në fund të vitit 2024, në Shqipëri operonin 7,007 ndërmarrje të huaja dhe të përbashkëta, në rritje me 1% krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht se përbëjnë një pjesë të vogël të totalit të bizneseve (rreth 3% e ndërmarrjeve gjithsej), ndikimi i tyre në ekonomi është shumë më i lartë.
Dominimi i kapitalit europian mbetet i fortë. Rreth 60.7% e këtyre ndërmarrjeve vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, ndërsa Italia vijon të jetë investitori kryesor me numrin më të madh të ndërmarrjeve aktive në vend.
Ndikimi i ndërmarrjeve të huaja në ekonomi është i dukshëm edhe në treguesit kryesorë. Në vitin 2024, ato gjeneruan 20.4% të shitjeve neto dhe punësuan 18.8% të totalit të të punësuarve në vend. Kjo tregon se produktiviteti i tyre është më i lartë se mesatarja e ndërmarrjeve shqiptare.
Këto ndërmarrje janë më të përqendruara në shërbime dhe tregti, por roli i tyre është veçanërisht i fortë në industri. Industria përpunuese përbën sektorin me peshën më të lartë të punësimit (32.5%), ndërsa tregtia dominon në shitje me 36.7% të totalit.
Nga ana tjetër, struktura e investimeve tregon një orientim të qartë drejt sektorëve strategjikë. Stoku i investimeve të huaja arriti në 15.4 miliardë euro në fund të vitit 2024, ku mbi gjysmën e mbajnë vendet e BE-së. Holanda dhe Zvicra janë ndër investitorët kryesorë, ndërsa sektori i energjisë dhe industria nxjerrëse mbeten ndër më të financuarit.
Por ndikimi më i fortë i ndërmarrjeve të huaja shfaqet në tregtinë e jashtme. Në vitin 2024, ato realizuan 46.2% të eksporteve totale të mallrave në Shqipëri dhe 21.3% të importeve. Italia dominon qartë, duke përfaqësuar mbi gjysmën e eksporteve të realizuara nga këto ndërmarrje, ndërsa Kina dhe Turqia mbeten aktorë të rëndësishëm në disa sektorë specifikë.
Një tjetër element i rëndësishëm është struktura sipas madhësisë. Pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve të huaja janë mikrondërmarrje (mbi 80% me 1–9 të punësuar), por ndikimi real ekonomik vjen nga ndërmarrjet e mëdha, të cilat përqendrojnë mbi 38% të punësimit dhe mbi 31% të shitjeve në këtë kategori. /ekofin.al


