Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë së Tiranës ka përmbyllur gjatë muajit mars procesin e gjenerimit dhe shpërndarjes së njoftimeve për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore për vitin tatimor 2026, duke i hapur rrugë fazës së pagesave për qytetarët dhe bizneset në kryeqytet.
Procesi përfshin si subjektet tregtare për detyrimet e biznesit, ashtu edhe individët që janë pronarë të njësive tregtare për taksën mbi pasurinë e paluajtshme. Në funksion të rritjes së transparencës dhe lehtësimit të aksesit, Bashkia bën të ditur se të gjitha njoftimet janë vënë në dispozicion në mënyrë elektronike përmes platformës “e-Albania”, ku çdo taksapagues mund të verifikojë detyrimet në profilin e tij personal. Paralelisht, për të garantuar informim të plotë, njoftimet janë dërguar edhe në adresat fizike të deklaruara.
Autoritetet vendore u bëjnë apel qytetarëve dhe bizneseve që të kryejnë pagesat brenda afateve ligjore, për të shmangur penalitetet, kamatëvonesat dhe gjobat që lindin nga vonesat. Sipas kalendarit të publikuar, afati për pagesën e taksave dhe tarifave vendore për bizneset është data 31 maj 2026.
Ndërkohë, për taksën mbi pasurinë e paluajtshme për pronarët e njësive tregtare, pagesa është e ndarë në dy këste: kësti i parë duhet të shlyhet deri më 20 prill 2026, ndërsa kësti i dytë deri më 30 qershor 2026.
Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore thekson se mbetet e angazhuar për të ofruar asistencë për çdo taksapagues, duke i ftuar ata të verifikojnë në kohë detyrimet dhe të respektojnë afatet përkatëse. Për çdo paqartësi, qytetarët dhe bizneset mund të kërkojnë informacion përmes adresës elektronike zyrtare ose pranë sporteleve të shërbimit.
Apeli vjen në një moment kur disiplinimi fiskal në nivel vendor mbetet kyç për financimin e shërbimeve publike dhe investimeve në infrastrukturën urbane, ndërsa pagesat në kohë konsiderohen një element thelbësor për stabilitetin financiar të njësive vendore. /ekofin.al
