Lufta me Iranin ka çuar në rritje të fortë të çmimeve të naftës dhe gazit, si dhe në pritshmëri për rritje të normave të interesit, por presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, thotë se eurozona është shumë më e përgatitur për të përballuar këtë goditje sesa ishte kur Rusia pushtoi Ukrainën.
Banka Qendrore Europiane nuk do të “paralizohet nga hezitimi” në reagimin ndaj goditjes energjetike të shkaktuar nga lufta në Lindjen e Mesme, deklaroi Lagarde të mërkurën.
Konflikti, i cili nisi në fund të shkurtit me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit, ka çuar në rritje të çmimeve të naftës dhe gazit për shkak të mbylljes pothuajse të plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe sulmeve ndaj objekteve energjetike në Gjirin Persik.
Duke theksuar se bota po përballet me “pasiguri të thellë”, Lagarde këmbënguli se BQE-ja është e pozicionuar mirë për të përballuar këtë situatë, me inflacionin aktualisht pranë objektivit prej 2% dhe ekonominë e eurozonës në një gjendje të qëndrueshme.
“Kemi një grup opsionesh të shkallëzuara për të reaguar,” tha ajo në një fjalim në selinë e BQE-së në Frankfurt.
Ajo theksoi se politikëbërësit “nuk do të veprojnë pa pasur informacion të mjaftueshëm për madhësinë dhe kohëzgjatjen e goditjes… angazhimi ynë për të arritur inflacionin 2% në afatmesëm është i pakushtëzuar”.
Në mbledhjen më të fundit javën e kaluar, BQE mbajti të pandryshuara normat e interesit, siç pritej, por paralajmëroi për inflacion më të lartë dhe rritje ekonomike më të ngadaltë për shkak të luftës.
Megjithatë, analistët kanë rritur pritshmëritë për një rritje të normave që në muajin e ardhshëm, në përpjekje për të frenuar rritjen e pritshme të çmimeve për konsumatorët.
Rritja e kostove globale të naftës dhe gazit ka sjellë menjëherë rritje të çmimeve të karburanteve në eurozonë dhe ka rikthyer kujtimet e goditjes energjetike pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Në atë periudhë, BQE u përball me kritika të forta për mosveprim të shpejtë në rritjen e normave për të frenuar inflacionin.
Por Lagarde minimizoi ngjashmëritë me atë periudhë.
“Goditja fillestare deri tani ka qenë më e vogël,” tha ajo, duke shtuar se situata aktuale është më “e favorshme”.
Kur Rusia kufizoi furnizimet me gaz për Europën pas nisjes së luftës në Ukrainë, inflacioni ishte tashmë i lartë për shkak të problemeve në zinxhirët e furnizimit pas pandemisë dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Sot, theksoi Lagarde, ekonomia e eurozonës është më e qëndrueshme dhe inflacioni ka qenë pranë objektivit të BQE-së prej disa kohësh./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
