Gjigandi i teknologjisë nis betejën ligjore kundër qeverisë. Ky zhvillim vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaruan publikisht në shkurt se po ndërprisnin marrëdhëniet me kompaninë e inteligjencës artificiale (AI), pasi ajo refuzoi të lejonte përdorim të pakufizuar ushtarak të modelit të saj Claude. Kufizimet në fjalë përfshijnë përdorimin e armëve autonome vdekjeprurëse pa mbikëqyrje njerëzore dhe mbikëqyrjen masive të qytetarëve amerikanë.
Në përgjigje, qeveria amerikane e cilësoi Anthropic si një “rrezik për sigurinë kombëtare në zinxhirin e furnizimit” dhe urdhëroi agjentët federalë të ndalonin përdorimin e Claude.
Çështja ilustron ndërthurjen etike, biznesore dhe ligjore të AI-së së avancuar dhe ngre pyetje mbi atë se kush duhet të përcaktojë kufijtë e kësaj teknologjie: kompanitë teknologjike të udhëhequra nga parimet e tyre të sigurisë apo autoritetet publike që veprojnë në emër të sigurisë kombëtare dhe interesave gjeopolitike?
Ja çfarë duhet të dini për seancën gjyqësore.
Seanca do të zhvillohet para gjyqtares së Gjykatës së Rrethit të SHBA-së, Rita Lin, në San Francisko. Ajo e përshpejtoi procesin, duke e avancuar seancën nga data 3 prill.
Çfarë argumenton Anthropic?
Anthropic po kundërshton përcaktimin si “rrezik në zinxhirin e furnizimit”, me bashkëthemeluesin dhe CEO-n, Dario Amodei, që deklaron se kompania “nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta sfidojë në gjykatë”.
Më 9 mars, Anthropic depozitoi dy padi kundër qeverisë për këtë përcaktim. Njëra është kërkesë për rishqyrtim sipas kuadrit ligjor ekzistues për vendimet e Pentagonit.
Kompania argumenton se futja në listë të zezë është “e paprecedentë dhe e paligjshme”, pasi historikisht kjo praktikë është aplikuar vetëm ndaj kundërshtarëve të huaj, si Huawei, dhe nuk mund të përdoret ligjërisht kundër një kompanie vendase për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Padia e dytë ngre shqetësime lidhur me Amendamentin e Parë, që garanton lirinë e shprehjes dhe të drejtën për protestë.
Çfarë argumenton Departamenti i Luftës i SHBA?
Në vitin 2025, Anthropic nënshkroi një kontratë prej 200 milionë dollarësh me Pentagonin për vendosjen e teknologjisë së saj në sisteme të klasifikuara. Gjatë negociatave pas kontratës, kompania deklaroi se nuk dëshironte që sistemet e saj të përdoreshin për mbikëqyrje masive dhe se teknologjia nuk ishte gati për t’u përdorur në vendimmarrje për përdorimin e armëve.
Në një paraqitje në gjykatë më 17 mars, Departamenti i Luftës shprehu shqetësimin se Anthropic mund të “çaktivizojë teknologjinë ose të ndryshojë paraprakisht sjelljen e modelit të saj” para ose gjatë operacioneve ushtarake, nëse mendon se po kapërcehen “vijat e kuqe” të kompanisë.
Anthropic kundërshton duke thënë se këto shqetësime nuk janë ngritur gjatë negociatave dhe janë shfaqur vetëm në dokumentet gjyqësore të qeverisë.
Ndikimi më i gjerë
Shkencëtarë dhe studiues të AI-së, përfshirë nga kompani të mëdha si OpenAI, Google dhe Microsoft, si dhe grupe ligjore, kanë paraqitur dokumente në mbështetje të Anthropic.
Ndërkohë, Pentagoni ka zhvendosur fokusin drejt bashkëpunimit me kompani të tjera të AI-së, përfshirë OpenAI, xAI dhe Google./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
