Ashtu siç edhe u paralajmërua më herët nga Guvernatori Gent Sejko, Banka e Shqipërisë ka vendosur të rrisë blerjen e euros në tregun e brendshëm valutor për të stabizilizuar tendencën mbiçmuese të lekut ndaj saj. Nga kufiri prej 220 milionë eurosh i përcaktuar në fillim të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka çuar në 300 milionë, për të ulur kështu disi volumin shumë të lartë të monedhës së përbashkët europiane që qarkullon në tregun shqiptar. Vendimi vjen edhe pasi Banka e Shqipërisë ka blerë deri në këtë fazë të vitit rreth 170 milionë euro në tregun e brendshëm, duke ju afruar ndjeshëm kufirit maksimal prej 220 milionë euro të përcaktuar në fillim të vitit.
Gjithsesi, tërheqja nga tregu i brendshëm i 170 milionë eurove nuk dha asnjë efekt të dukshëm në frenimin e tendencës nënccmumese të euros për gjysmën e parë të vitit. Banka e Shqipërisë është gjendur së fundmi nën presion nga eksportuesit, si dhe aktorë të tjerë të varur nga monedha e përbashkët europiane, të cilët po vihen në vështirësi nga një nënçmim kaq i fortë i saj.
Megjithëse Banka e Shqipërisë vendosi rritjen e kufirit për tërheqjen e euros nga tregu për këtë vit, monedha europiane e mbylli javën me një zhvlerësim të mëtejshëm. Në pikat e këmbimit valutor, deri në mesditë, një euro u shit me 104.3 lek dhe u ble me 102.7, duke ndikuar edhe në nënçmimin e valutave të tjera kryesore.
