Shqipëria ka siguruar mbi 99 milionë euro financim nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes, pas vlerësimit të parë të zbatimit të Facilitetit për Reforma dhe Rritje, duke reflektuar progres të pjesshëm në përmbushjen e reformave të dakordësuara.
Sipas Dokumentit të Politikave Prioritare 2027–2029, më 15 korrik 2025 autoritetet shqiptare dorëzuan raportimin e parë zyrtar, i cili përfshinte kërkesën për disbursim fondesh dhe dokumentacionin mbështetës për hapat e ndërmarrë. Në total, Shqipëria raportoi përfundimin e 38 hapave, që përfshijnë 16 masa për dhjetor 2024, 17 masa për qershor 2025 dhe 5 masa të raportuara përpara afatit.
Megjithatë, në vlerësimin e saj të datës 8 tetor 2025, Komisioni Evropian evidentoi se nga 41 masa të raportuara në total, vetëm 21 janë realizuar plotësisht, ndërsa 20 mbeten ende të papërmbushura. Ky bilanc reflekton një progres të konsiderueshëm, por edhe vonesa në një pjesë të rëndësishme të reformave.
Masat e realizuara janë përkthyer në një vlerë financiare prej 106.8 milionë eurosh, nga të cilat, pas zbritjes së parafinancimit prej 7.47 milionë eurosh, Shqipëria përfiton neto 99.32 milionë euro. Këto fonde ndahen në 46.2 milionë euro mbështetje direkte buxhetore, 28.5 milionë euro grante për investime përmes WBIF dhe 24.6 milionë euro mbështetje në formë huaje për investime.
Në analizë sipas periudhave, për dhjetor 2024 janë raportuar 16 masa, nga të cilat 11 janë realizuar dhe 5 mbeten të papërmbushura, kryesisht për shkak të vonesave në fushën e energjisë së rinovueshme, transparencës së pronësisë mediatike dhe publikimit të të dhënave mbi pasuritë dhe shpenzimet publike.
Për periudhën e qershorit 2025, nga 20 masa të raportuara, vetëm 9 janë realizuar, ndërsa 11 të tjera mbeten në proces, të lidhura kryesisht me nevojën për miratime të mëtejshme ligjore, përafrim me standardet e BE-së dhe ndërtimin e mekanizmave të raportimit institucional.
Ndërkohë, nga 5 masa të raportuara përpara afatit, vetëm 1 është përmbushur, ndërsa 4 të tjera kanë mbetur pezull për shkak të vonesave në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, harmonizimin e politikës së vizave dhe funksionalizimin e sistemeve të paralajmërimit për substancat narkotike.
Raportimi i parë përfshiu gjithashtu një paketë të plotë dokumentesh mbështetëse, si Deklarata e Sigurisë, raportet vjetore për vitin 2024, raportin për menaxhimin financiar publik për 2023 dhe për transparencën buxhetore për 2024, si dhe përmbledhjen e auditimeve nga Ministria e Financave.
Sipas dokumentit, rezultatet e para të Planit të Rritjes tregojnë se Shqipëria ka arritur të sigurojë financim të konsiderueshëm dhe të avancojë në një pjesë të reformave kyçe, por ritmi i zbatimit mbetet i pabarabartë, duke kërkuar përshpejtim të mëtejshëm për të përmbushur plotësisht objektivat e marrëveshjes me Bashkimin Evropian. /ekofin.al
