Rruga Qukës-Qafë Plloç, i nisur që në kohën e qeverisë Berisha, duket si nga ato rrugët që nuk do të përfundojnë kurrë. Duket se së fundmi ARRSH është kujtuar për të, duke njoftuar se punimet po ecin me “ritme të larta”.
Autoriteti Rrugor shqiptar bëri të ditur se “në kantierin e punimeve Qukës-Qafë Plloçë në Lotin 1 po punohet në Urën nr. 4 për shtresat asfaltike, për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe për mbrojtjen dhe stabilizimin e skarpateve”.
Sipas ARRSH-së në km 19 deri në km 20 në Lotin 2, po punohet për ndërtimin e trasesë.
Projekti i rrugës Qukës-Qafë-Plloçë është pjesë e Korridorit VIII, Tiranë-Korçë. Kjo rrugë, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, bashkon Korçën dhe Tiranën, duke lidhur motorin kryesor të zhvillimit të vendit me polin lindor zhvillimor të saj.
Përfundimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë do i japë zhvillim më të madh jo vetëm këtij fshati por gjithë Mokrës, që spikat për natyrën me reliev piktoresk, mjaft atraktive për zhvillimin e agroturizmit dhe sporteve të natyrës.
Rruga mundëson lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit por zgjon gjithashtu potencialet për investime në agroturizëm.
