Rregullatorët po forcojnë ndjeshëm kuadrin e sigurisë kibernetike në Shqipëri, ndërsa rregullorja e re e miratuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare vendos standarde më të larta dhe detyrime më të detajuara për operatorët e komunikimeve elektronike, duke e afruar sektorin me praktikat e Bashkimit Evropian dhe direktivën NIS2.
Me vendimin nr. 8, datë 13 mars 2026, AKEP ka miratuar rregulloren “Mbi masat organizative dhe teknike për garantimin e sigurisë së rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike”, e cila synon të rrisë ndjeshëm nivelin e mbrojtjes së infrastrukturave digjitale në vend. Rregullorja përcakton qartë se çdo operator që ofron rrjete apo shërbime publike komunikimesh elektronike duhet të ndërmarrë masa teknike, organizative dhe operative në përpjesëtim me rreziqet, për të garantuar integritetin, konfidencialitetin dhe disponueshmërinë e shërbimeve.
Një nga risitë kryesore të Rregullores është formalizimi i detyrimeve për menaxhimin e riskut kibernetik dhe organizimin e brendshëm të sigurisë. Operatorët duhet të hartojnë politika të shkruara sigurie, të krijojnë regjistra të rreziqeve dhe të zhvillojnë procese të vazhdueshme vlerësimi dhe trajtimi të tyre. Në këtë kuadër, kërkohet emërimi i një përgjegjësi për sigurinë kibernetike në nivel menaxherial, zhvillimi i trajnimeve të detyrueshme vjetore për stafin, zbatimi i parimit të “aksesit minimal” dhe përdorimi i autentifikimit të fortë, si dhe hartimi i planeve të vazhdimësisë së biznesit dhe rimëkëmbjes (BCP/DRP).
Gjithashtu rëndësi të veçantë i jepet sigurisë së zinxhirit të furnizimit, ku operatorët duhet të kontrollojnë edhe furnitorët dhe partnerët teknologjikë, përfshirë ata të rrjeteve 5G.
Rregullorja vendos gjithashtu një sistem të detajuar raportimi për incidentet e sigurisë, duke përcaktuar afate strikte dhe të detyrueshme. Operatorët duhet të bëjnë njoftimin fillestar brenda 24 orëve nga evidentimi i incidentit, të dorëzojnë një raport të detajuar brenda 72 orëve dhe një raport përfundimtar brenda 30 ditëve. Çdo incident me impakt mesatar ose të lartë duhet të raportohet, duke u vlerësuar sipas një matrice që merr në konsideratë kohëzgjatjen, numrin e përdoruesve të prekur, shtrirjen gjeografike dhe ndikimin ekonomik. Në raste të caktuara, operatorët janë të detyruar të njoftojnë edhe përdoruesit, sidomos kur ka rrezik për të dhënat personale ose ndërprerje të konsiderueshme të shërbimit.
Për operatorët me ndikim më të madh në treg, si ata me mbi 50 milionë lekë të ardhura, mbi 2000 abonentë apo që ofrojnë shërbime për institucionet publike, rregullorja kërkon auditime të pavarura të sigurisë ose certifikim sipas standardit ISO 27001. Në të njëjtën kohë, AKEP ka të drejtë të kërkojë informacione shtesë, të kryejë auditime dhe të vendosë masa korrigjuese në rast mangësish, duke rritur ndjeshëm presionin rregullator mbi operatorët./ekofin.al
