Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë një projektligj të ri që synon të modernizojë dhe liberalizojë tregun e shërbimeve në vend, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Projektligji “Për lirinë e vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë”, i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, synon të krijojë një kuadër të ri ligjor për funksionimin e tregut të shërbimeve dhe për të garantuar lirinë e operatorëve ekonomikë për të ushtruar aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe ndërkufitarisht.
Ligji i ri vjen si një reformë e thellë e kuadrit ekzistues, pasi zëvendëson ligjin nr.66/2016 “Për shërbimet në Republikën e Shqipërisë”. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet e nevojshme në ligjin aktual tejkalonin më shumë se 50% të dispozitave, gjë që kërkoi hartimin e një ligji të ri dhe jo thjesht amendimin e tij. Qëllimi kryesor është harmonizimi i plotë me direktivën evropiane 2006/123/KE për shërbimet në tregun e brendshëm të BE-së.
Projektligji synon të krijojë një treg më të hapur dhe konkurrues të shërbimeve. Ai parashikon rregulla të reja për ushtrimin e aktivitetit të shërbimeve nga operatorët ekonomikë, duke vendosur parimin e trajtimit të barabartë dhe duke ndaluar çdo kriter diskriminues ndaj ofruesve në bazë të shtetësisë ose vendndodhjes së selisë. Gjithashtu, ndalohen kufizimet që mund të pengojnë ofrimin e shërbimeve ndërkufitare, si kërkesat për autorizime të dyfishta, testet ekonomike apo kërkesat për regjistrim paraprak në Shqipëri.
Risia kryesore e projektligjit është garantimi i lirisë për ofrimin e përkohshëm të shërbimeve nga operatorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri, pa pasur detyrimin të vendosen fizikisht në vend. Kufizimet ndaj këtyre shërbimeve lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm për arsye të interesit publik, si siguria apo shëndeti publik.
Ligji parashikon gjithashtu thjeshtimin e procedurave administrative për bizneset. Një rol qendror në këtë proces do të ketë “Pika e Vetme e Kontaktit”, e cila do të funksionojë përmes portalit e-Albania. Përmes këtij portali, bizneset do të mund të kryejnë në mënyrë elektronike të gjitha procedurat që lidhen me nisjen dhe ushtrimin e aktivitetit të tyre në sektorin e shërbimeve.
Projektligji vendos standarde më të forta për transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Ofruesit e shërbimeve do të kenë detyrimin të publikojnë informacion të qartë mbi identitetin e tyre, kushtet e ofrimit të shërbimit, çmimet dhe garancitë profesionale. Në të njëjtën kohë, ligji promovon mekanizma për zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve dhe për bashkëpunimin ndërkufitar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre të BE-së.
Në draft parashikohet gjithashtu krijimi i mekanizmave të bashkëpunimit administrativ me shtetet e Bashkimit Evropian përmes Sistemit të Informacionit të Tregut të Brendshëm (IMI), që mundëson shkëmbimin e informacionit për ofruesit e shërbimeve dhe për mbikëqyrjen e tyre. Ky mekanizëm synon të rrisë sigurinë juridike, të përmirësojë kontrollin e tregut dhe të lehtësojë veprimtarinë ndërkufitare të bizneseve./ekofin.al
