Shqipëria, vendi me çmime shumë të larta të ishqimeve në supermarkete, ka me çfarë “të krenohet”. Çmimet e çokollatës në Europë janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, por Shqipëria rezulton të ketë përjetuar rritjen më të ulët në kontinent. Sipas të dhënave të Eurostat, inflacioni mesatar vjetor i çmimeve të çokollatës në Shqipëri ishte vetëm rreth 1.6%, shumë më poshtë se shumica e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Europian.
Në Ballkan, rritjet kanë qenë shumë më të forta. Serbia regjistroi një rritje prej 25.4%, ndërsa Mali i Zi dhe Greqia nga 21% secila. Në Maqedoninë e Veriut rritja arriti 20%, ndërsa Bullgaria shënoi 22%. Edhe Kosova pati një rritje rreth 12%, ndërsa Shqipëria mbeti dukshëm nën këto nivele.
Në nivel europian, rritja mesatare e çmimeve të çokollatës ishte rreth 18% në BE dhe 16% në eurozonë, duke e bërë këtë produkt ushqimor atë me rritjen më të madhe të çmimeve gjatë vitit 2025. Në disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore rritjet ishin edhe më të forta: Polonia kryeson mes vendeve të BE me 32.6%, ndërsa Estonia dhe Lituania me rreth 31.5% secila. Kur përfshihen edhe vendet jashtë BE-së, rekordin e mban Turqia me një rritje prej 44%.
Rritja e çmimeve të çokollatës ka qenë dukshëm më e lartë se për shumë produkte të tjera ushqimore. Sipas Eurostat, çmimet e mishit të viçit u rritën mesatarisht me rreth 10%, ndërsa vezët dhe gjalpi me rreth 8%, shumë më pak se çokollata.
Ekspertët e lidhin këtë fenomen kryesisht me shpërthimin e çmimeve globale të kakaos, përbërësi kryesor në prodhimin e çokollatës. Sipas ekonomistit të FAO-s Emiliano Magrini, tregu global i kakaos u godit nga një mungesë e madhe prodhimi për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike në Afrikën Perëndimore, veçanërisht në Bregun e Fildishtë dhe Ganë, të cilat së bashku prodhojnë pjesën më të madhe të kakaos në botë.
Prodhimi në këto vende ra ndjeshëm gjatë sezonit 2023-2024 për shkak të thatësirës së zgjatur dhe përhapjes së sëmundjes “cocoa swollen shoot virus”, duke ulur rezervat globale në nivele historikisht të ulëta dhe duke shtyrë çmimet në tregjet ndërkombëtare në rekorde.
Sipas Bankës Botërore, çmimi i kakaos u rrit nga mesatarisht 3.28 dollarë për kilogram në 2023 në 7.33 dollarë në 2024 dhe rreth 7.80 dollarë në 2025, një rritje mbi 120% vetëm brenda një viti, rritja më e madhe mes rreth 70 lëndëve të para që monitorohen globalisht.
Edhe pse kakao përbën vetëm 10–20% të kostos totale të prodhimit të çokollatës, rritja e fortë e çmimit të saj është reflektuar drejtpërdrejt në çmimet me pakicë.
Megjithatë, ndikimi nuk ka qenë i njëjtë në të gjitha vendet. Sipas FAO-s, vendet me industri të zhvilluar të përpunimit të çokollatës si Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Zvicra kanë mundur të amortizojnë një pjesë të kostove përmes kontratave afatgjata, integrimit vertikal dhe eksportit, duke mbajtur rritjet relativisht më të ulëta.
Në të kundërt, vendet që varen më shumë nga importet dhe kanë industri më të vogël përpunimi – veçanërisht në Europën Qendrore dhe Lindore – kanë parë një kalim më të drejtpërdrejtë të kostove globale tek konsumatori.
Sipas të dhënave, përveç kakaos, në diferencat mes vendeve ndikojnë edhe faktorë të tjerë si kostot e energjisë, pagat, çmimet e qumështit dhe sheqerit, kursi i këmbimit, niveli i konkurrencës në treg dhe struktura e industrisë së ushqimit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al


