Rritja e çmimit të mishit në Evropë gjatë vitit 2025 ka qenë e ndjeshme në shumë vende, megjithatë Shqipëria rezulton ndër vendet me rritjet më të ulëta në disa kategori, sipas të dhënave krahasuese të publikuara nga Eurostat për inflacionin në produktet e mishit.
Mungesa e bagëtive, sëmundjet e kafshëve dhe kërkesa e fortë nga konsumatorët kanë shtyrë çmimet e mishit në rritje në të gjithë kontinentin. Mesatarisht në Bashkimin Evropian, çmimet e mishit të viçit dhe lopës u rritën me 10%, ndërsa inflacioni i përgjithshëm i ushqimeve arriti në 3.3%, pak mbi inflacionin mesatar të ekonomisë së BE-së prej 2.5%. Çmimet e mishit të deles dhe dhisë u rritën me 7.2%, ndërsa të pulës me 4.4%, duke i vendosur këto produkte ndër kategoritë me rritjen më të shpejtë të çmimeve ushqimore.
Mishi i viçit dhe i lopës: Shqipëria nën mesataren e BE-së

Në kategorinë e mishit të viçit dhe lopës, Shqipëria regjistroi një rritje të çmimeve prej 6.2% në vitin 2025. Ky nivel është dukshëm më i ulët se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 10% dhe shumë më i ulët se rritjet e forta të regjistruara në disa vende të tjera.
Në krye të listës qëndron Holanda me 23%, e ndjekur nga Kroacia me 22.4% dhe Letonia me 20.8%. Në disa vende të tjera Evropiane rritja ishte mbi 18%, si në Çeki (18.4%), Portugali (18.2%) dhe Slloveni (18.2%).
Edhe disa ekonomi të mëdha evropiane patën rritje më të ulëta se këto nivele, por gjithsesi të krahasueshme me Shqipërinë: Italia 6.1%, Franca 5.3%, ndërsa Gjermania 9.6%. Në fund të listës qëndron Zvicra me vetëm 0.1% rritje.
Mishi i deles dhe dhisë: rritje më e moderuar në Shqipëri

Edhe në kategorinë e mishit të deles dhe dhisë, Shqipëria rezulton me një rritje relativisht të ulët të çmimeve, prej 4.2%. Kjo është ndjeshëm nën mesataren e BE-së prej 7.2%. Rritjet më të forta u regjistruan në Kosovë (15.2%), Poloni (13.5%), Portugali (13.1%) dhe Irlandë (12.7%). Në disa vende të tjera Evropiane rritja kaloi 10%, si në Suedi (11.3%) dhe Spanjë (10.1%).
Në ekonomitë e mëdha Evropiane rritjet ishin më të moderuara: Italia 5%, Franca 7.1% dhe Gjermania vetëm 2.5%.
Mishi i pulës: pothuajse pa ndryshim në Shqipëri

Në kategorinë e mishit të pulës, Shqipëria ka regjistruar rritjen më të ulët ndër shumicën e vendeve Evropiane. Çmimet u rritën vetëm 0.4%, shumë më pak se mesatarja e BE-së prej 4.4%. Rritjet më të mëdha u regjistruan në vendet baltike, ku Letonia shënoi 15.8% dhe Estonia 15.2%. Më pas vijnë Polonia (9.8%), Çekia (9.7%) dhe Lituania (8.9%).
Në disa vende çmimet madje ranë, si në Zvicër (-1.9%), Finlandë (-1.8%) dhe Serbi (-1%).
Pse po rriten çmimet e mishit në Evropë?
Ekspertët e sektorit bujqësor theksojnë se rritja e çmimeve lidhet kryesisht me rënien e numrit të bagëtive në shumë vende Evropiane, që ka kufizuar ofertën në treg.
Organizatat e fermerëve në Evropë theksojnë gjithashtu se sëmundjet e kafshëve, si bluetongue apo lumpy skin disease, kanë ndikuar në uljen e prodhimit dhe në kufizimin e lëvizjes së bagëtive. Në të njëjtën kohë, kërkesa për mish, sidomos për produkte premium si viçi ka mbetur e fortë.
Ndërsa në kategorinë e mishit të pulës, rritja e çmimeve lidhet me faktin se konsumatorët po kalojnë gjithnjë e më shumë drejt pulës si një burim më i lirë proteine, në një kohë kur viçi dhe vezët janë bërë më të shtrenjta.
Në këtë kontekst evropian me rritje të forta çmimesh, Shqipëria shfaqet si një nga vendet ku inflacioni i mishit ka qenë relativisht më i moderuar, veçanërisht për pulën dhe për mishin e deles dhe dhisë, ndërsa edhe për viçin rritja ka mbetur nën mesataren e Bashkimit Evropian./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
