Ndotja e ajrit, zhurma urbane dhe degradimi i trupave ujorë mbeten ndër presionet kryesore që ndikojnë cilësinë e jetës në qytetet shqiptare.
Sipas raportit të Co-PLAN në kuadër të projektit GreenAL, studimi përfshiu një rrjet të zgjeruar monitorimi në disa bashki të vendit dhe identifikoi zona me ekspozim të lartë ndaj ndotjes.
Monitorimi gjatë vitit 2025 u shtri në një rrjet të gjerë pikash matjeje. Në total u monitoruan mbi 800 pika për cilësinë e ajrit dhe zhurmës, ndërsa më shumë se 40 pika për cilësinë e ujit, duke krijuar një bazë të gjerë të dhënash për analizë dhe krahasim ndërmjet qyteteve. Monitorimi përfshiu gjashtë bashki kryesore të vendit: Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Shkodrën, Fierin dhe Korçën, ndërsa në disa prej tyre rrjeti arriti deri në 100 pika monitorimi për ajrin dhe zhurmat.
Raporti thekson se ndotja e ajrit në zonat urbane lidhet kryesisht me trafikun rrugor, flotën e vjetër të automjeteve, aktivitetet ndërtimore dhe përdorimin e karburanteve për ngrohje, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit. Në qytete me histori industriale, si Elbasani dhe Fieri, presionet mjedisore mund të lidhen edhe me aktivitete industriale të trashëguara ose aktuale. Në këtë kontekst janë monitoruar ndotësit kryesorë atmosferikë, përfshirë PM2.5, PM10, NO₂, CO dhe CO₂, të cilët lidhen drejtpërdrejt me problemet respiratore dhe kardiovaskulare.
Sipas raportit, grimcat e imta PM2.5 përbëjnë një ndër rreziqet më të mëdha për shëndetin publik, pasi depërtojnë thellë në sistemin e frymëmarrjes dhe lidhen me rritjen e rrezikut për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare. Në nivel global, ndotja e ajrit kontribuon në rreth 7.9 milion vdekje në vit (2023), ndërsa 36% e popullsisë globale është e ekspozuar ndaj niveleve të PM2.5 mbi objektivin minimal referues prej 35 μg/m³.
Një tjetër problematikë e theksuar është ndotja akustike, e cila në qytete lidhet kryesisht me trafikun, aktivitetet ekonomike dhe kantieret e ndërtimit. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj niveleve të larta të zhurmës lidhet me pasoja shëndetësore si shqetësime të gjumit, stres kronik dhe probleme kardiovaskulare. Në Eropvën Perëndimore, Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se zhurma e transportit shkakton humbjen e rreth 1 milion viteve jetë të shëndetshme çdo vit.
Raporti evidenton gjithashtu presione të konsiderueshme mbi trupat ujorë. Monitorimi përfshiu një sërë liqenesh dhe rezervuarësh, mes tyre Liqenin e Bovillës, Liqenin e Farkës, Liqenin Artificial të Tiranës, Liqenin e Shkodrës dhe Liqenin e Prespës së Madhe, si dhe kanale kulluese dhe segmente lumenjsh në zona të ndryshme të vendit. Cilësia e ujërave ndikohet kryesisht nga shkarkimet urbane, rrjedhjet bujqësore dhe aktivitetet industriale, të cilat rrisin ngarkesën me nutrientë dhe ndotës.
Në nivel institucional, raporti vë në dukje se monitorimi i ndotjes në Shqipëri realizohet nga institucione si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik, por sfidat lidhen me mbulimin territorial të rrjetit të monitorimit, frekuencën e matjeve dhe transparencën e të dhënave në kohë reale.
Për këtë arsye, monitorimet alternative nga organizatat e shoqërisë civile konsiderohen një instrument i rëndësishëm për të plotësuar boshllëqet e informacionit dhe për të identifikuar zonat me presion më të lartë mjedisor. /ekofin.al
