Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e institucionit publik të arsimit të mesëm të lartë “Liceu Francez i Korçës”, një nismë që synon rikthimin e një prej traditave historike të bashkëpunimit arsimor franko-shqiptar dhe krijimin e një modeli të ri arsimor me standarde ndërkombëtare në Shqipëri. Sipas relacionit shpjegues të projektligjit, institucioni i ri do të jetë një lice publik i orientuar drejt shkencës dhe inovacionit, i cili do të funksionojë në qytetin e Korçës dhe do të zhvillojë mësimdhënien në gjuhën shqipe, frënge dhe angleze.
Projektligji synon të krijojë kuadrin ligjor për ngritjen, administrimin dhe funksionimin e këtij institucioni arsimor, duke garantuar një model bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve arsimore shqiptare dhe franceze. Qëllimi kryesor është zhvillimi i një sistemi arsimor që përgatit nxënës me aftësi konkurruese në nivel europian, duke integruar praktikat pedagogjike të dy sistemeve arsimore dhe duke ofruar mundësi për certifikim të dyfishtë. Nxënësit që përfundojnë studimet në këtë lice do të kenë mundësi të pajisen si me diplomën e Maturës Shtetërore shqiptare, ashtu edhe me diplomën franceze Baccalauréat, duke rritur ndjeshëm aksesin e tyre në universitetet europiane.
Nisma lidhet edhe me forcimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Francës në sektorin e arsimit. Relacioni thekson se projekti vjen pas dialogut të nisur gjatë vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron në Shqipëri në vitin 2023, kur u diskutua mundësia e rihapjes së Liceut të Korçës, një institucion historik që funksionoi në periudhën 1917–1939 dhe që ka pasur ndikim të rëndësishëm në formimin e elitave intelektuale shqiptare.
Sipas projektligjit, liceu do të jetë një institucion publik me autonomi administrative dhe financiare, i drejtuar nga një strukturë që përfshin një Këshill Administrativ, Këshillin e Institucionit dhe Drejtorin e Liceut. Këshilli Administrativ do të kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin ose përfaqësuesi i tij dhe do të përfshijë edhe përfaqësues të autoriteteve franceze, përfshirë ambasadorin e Francës në Shqipëri. Drejtori i liceut do të propozohet nga Ministria franceze e Arsimit, ndërsa zëvendësdrejtori nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë, duke reflektuar karakterin e përbashkët të këtij institucioni.
Modeli arsimor i propozuar do të fokusohet veçanërisht në fushat e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit, duke integruar laboratorë të avancuar, hapësira për zhvillimin e projekteve STEM dhe përdorimin e teknologjive digjitale në procesin mësimor. Qëllimi është përgatitja e nxënësve për sfidat e një ekonomie globale dhe për tregun ndërkombëtar të punës.
Nga pikëpamja financiare, analiza e ndikimit të projektligjit parashikon një kosto mesatare për nxënës rreth 8,400 euro në vit, rreth 4.5 deri në 5 herë më e lartë se në një gjimnaz publik standard shqiptar. Kapaciteti maksimal i liceut parashikohet të jetë 360 nxënës në 12 klasa, ndërsa kostoja totale për pesë vitet e para të funksionimit llogaritet rreth 11.3 milionë euro, nga të cilat rreth 10.7 milionë euro do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Pala franceze pritet të kontribuojë me financimin e drejtuesit të liceut gjatë kësaj periudhe.
Përveç kostove operative, projekti kërkon edhe një investim fillestar prej rreth 1.7 – 2.3 milionë euro për pajisje laboratorike, infrastrukturë digjitale, mobilim dhe hapësira inovacioni. Një pjesë e këtyre fondeve është planifikuar tashmë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit për periudhën 2026–2028.
Sipas relacionit, ngritja e Liceut Francez të Korçës pritet të ketë ndikime pozitive në rritjen e cilësisë së arsimit parauniversitar, zhvillimin e kapaciteteve shkencore dhe pedagogjike në vend, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin e arsimit. Projekti synon gjithashtu të rrisë atraktivitetin akademik dhe ekonomik të rajonit të Korçës, duke krijuar një qendër të re arsimore me profil ndërkombëtar në juglindje të vendit. /ekofin.al
