Yield-et e bonove 12-mujore kanë frenuar sërish në ankandin e kësaj jave, duke pësuar rënie në nivelin 3.13%, nga 3.14% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Yield-i i bonove 12-mujore ngelet kështu pranë niveleve më të ulëta prej një viti dhe shumë afër normës bazë të interesit.
Yield-i mesatar i bonove 12-mujore ndoqi një tendencë të vazhdueshme në rënie në pjesën e parë të këtij viti, duke zbritur deri në nivelin 3.09% në fund të muajit qershor. Në ankandin e dytë të korrikut, yield-et dhanë sinjale të lehta rritjeje, por tashmë në ankandin e fundit, të zhvilluar në muajin gusht, i janë kthyer sërish rënies.
Frenimi i ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë në normat e interesit dhe kërkesa e lartë e investitorëve ka sjellë një rënie të papritur të interesave të letrave të Qeverisë në pjesën e parë të këtij viti.
Në ankandin e kësaj jave, shuma totale të kërkesave arriti në 8.6 miliardë lekë, nga 7.2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Ndërkohë, ankandi i bonove 6-mujore ka dështuar sërish, për herë të dytë, pasi investitorët kërkuan një yield mesatar prej 3.06%, shumë pranë atij të bonove me afat 12 mujor. Ministria e Financave nuk e pranoi një gjë të tillë dhe si kundërpërgjigje, investitorët nuk paraqitën kërkesa në ankandin e kësaj jave.