Indeksi i Transparencës 2025, i hartuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, evidenton një zgjerim të monitorimit dhe një përmirësim të përgjithshëm të transparencës proaktive të autoriteteve publike në vend. Gjatë vitit janë vlerësuar 284 institucione, 13% më shumë se një vit më parë, me rritje të ndjeshme të atyre që klasifikohen me nivel të lartë transparence.
Monitorimi është përqendruar në zbatimin e nenit 7 të LDI, që përcakton qartë natyrën, llojin dhe sasinë e informacionit që duhet publikuar pa kërkesë, sa herë që prodhohet apo përditësohet nga autoritetet publike. Rezultatet e monitorimit tregojnë sa të përgjegjshme dhe sa të hapura janë autoritetet publike. Ky proces ndihmon qytetarët, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile të dinë më shumë për veprimtarinë e institucioneve dhe të kërkojnë llogaridhënie kur është e nevojshme.
Sipas raportit, në fund të vitit 2025 janë monitoruar 284 autoritete publike, nga 251 një vit më parë, një rritje me 13%. Prej tyre: 149 autoritete ose 52.5% janë vlerësuar me nivel të lartë transparence; 102 institucione ose 35.5% me nivel mesatar; 32 ose 11.5% me nivel të ulët; dhe vetëm 1 autoritet ose 0.5% me nivel minimal.
Krahasuar me vitin 2024, numri i institucioneve me transparencë të lartë është rritur nga 112 në 149, pra +37 autoritete, ndërsa ato me transparencë mesatare kanë rënë nga 111 në 102 (-9). Në kategorinë e transparencës së ulët ka një rritje nga 26 në 32 (+6), ndërsa në nivel minimal ka zbritje nga 2 në 1 (-1).
Nga 284 autoritetet e përfshira, 43 janë institucione qendrore, 160 institucione të varësisë dhe degë territoriale, 37 institucione të sistemit të drejtësisë dhe 44 institucione të tjera, përfshirë institucionet e arsimit të lartë, urdhrat profesionalë dhe shoqëritë aksionare me shumicë shtetërore. Nga procesi janë përjashtuar 10 autoritete që nuk kanë faqe zyrtare aktive në internet, përfshirë Arkivin Qendror Shtetëror të Drejtësisë; Drejtoria e Shërbimit të Trupit Diplomatik; Drejtoria Rajonale Trashëgimisë Kulturore Tiranë; Galeria Kombëtare e Arteve; Spitali Rajonal Korçë; Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Fier; Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Sarandë; Urdhri i Stomatologut; Spitali Rajonal Gjirokastër; si dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.
Vlerësimi është bërë sipas një sistemi pikëzimi ku autoritetet me 13–16 pikë janë kategorizuar me transparencë të lartë, ato me 9–12.5 pikë me transparencë mesatare, me 5–8.5 pikë me transparencë të ulët dhe me 0–4.5 pikë me transparencë minimale, duke ndjekur parimin e rendit zbritës nga pikëzimi maksimal tek ai minimal, ndërsa autoritetet me të njëjtin numër pikësh janë renditur alfabetikisht.
Sipas indeksit, listën e institucioneve qëndrore me transparencë të lartë, të cilat kanë grumbulluar 16 pikë e kryesojnë Enti Rregullator i Ujit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shkolla e Magjistraturës.
Ndërsa listën e institucioneve me transparencë mesatare e kryesojnë Banka e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Instituti i Statistikave dhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, të cilat kanë grumbulluar 12.5 pikë secila.
Nga grupi i institucioneve të sistemit të Drejtësisë, për gjykatat janë më transparentet Gjykata e Dibrës dhe Gjykata e Gjirokastër me 16 pikë secila dhe pas tyre vijnë Gjykata e Vlorës, Gjykata Administrative e Apelit dhe GJKKO me 15 pikë secila. Gjykata e Lartë renditet me 13 pikë.
Në gjykatat me nivel transparence mesatar renditen më lartë Gjykata e Lezhës me 12 pikë, gjykatat e Beratit, Durrësit dhe Tiranës me 11.5 pikë. Gjykata e Fierit është gjykata e fundit në këtë kategori me 11 pikë.
Ndërsa në Prokuritë, Prokuria e Durrësit, Kukësit dhe Elbasanit dhe Sarandës, renditet në kategorinë me transparencë të lartë me 16 pikë secila, ndërsa në fund të listës qëndron Prokuroria e Lezhës me 9 pikë. Byroja Kombëtare e Hetimit, Prokuroria e Përgjithshme, SPAK dhe Prokuroria e Korçës kanë siguruar 13 pikë secila.
Sipas raportit, ndër institucionet më pak transparente kanë rezultuar UKT Kukës, Porti Detar Sarandë, Universiteti Politeknik i Tiranës me 8 pikë.
Albcontrol dhe UKT Korçë me 7.5 pikë, dhe në fund të listës qëndrojnë Porti i Shëngjinit dhe UKT Durrës me 6.5 dhe 6 pikë.
Sipas Zyrës së Komisionerit, rezultatet e vitit 2025 pasqyrojnë një përmirësim të përgjithshëm të transparencës proaktive, veçanërisht në fashën e parë të semaforit, progres që lidhet me monitorimin e vazhdueshëm dhe trajnimet sistematike, por që njëkohësisht kërkon rritje të mëtejshme të angazhimit institucional dhe mbështetje teknike e financiare për forcimin e Programit të Transparencës dhe raportimit vjetor të Indeksit. /ekofin.al

