Rruga Librazhd-Prrenjas është hapur dhe ka rinisur qarkullimi normal i automjeteve, pas 11 ditëve bllokim.
Në rrugën e vjetër duken ende rrënojat, ndërsa midis saj e Korridorit VIII, ndodhet rruga provizore. Mjetet, të cilat më parë kishin krijuar radhë, kanë nisur tashmë të lëvizin.
Rruga provizore është rreth 200-300 metra e gjatë.
Kreu i ARRSH, Ami Kozeli tha se “do të duhen minimalisht rreth 60 ditë që të hapet rruga alternative”. Kjo rrugë gjendet mes Shkumbinit e hekurudhës dhe do të jetë rreth 1.3 kilometra e gjatë.
Në njoftimin e mëparshëm, ARRSH tha se në rrugën provizore mund të kryhet kalimi i të gjitha mjeteve. Qarkullimi do të jetë me sinjalistikë kantieri, ndërsa asfaltimi do të përfundojë pas shtresëzimit të inerteve.
“Sot, datë 03.03.2026, ora 12:00, rikthehet qarkullimi për të gjitha mjetet në aksin Librazhd–Prrenjas, i cili ishte i bllokuar si pasojë e rrëshqitjes në zonën “Arrat e Gurrës”.
Qarkullimi do të kryhet përmes një devijimi provizor, të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm, deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, tashmë të bërë publike, në shtratin e lumit Shkumbin dhe të integruar me trupin e hekurudhës.
Segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave, pas së cilës do të kryhet asfaltimi përfundimtar.
Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëjmë thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë”, thuhet në njoftim.
