Prej kësaj të hëne, midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, hyn në fuqi kontrolli i përbashkët kufitar në Qafë-Thanë. Ky kontroll do të jetë plotësisht funksional për ta lehtësuar dhe thjeshtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve tona, gjë e cila do të finalizohet dhe me ndërtimin e korridorit 8.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se përpos zhvillimit të dy vendeve, pavarësisht se ky është një hap i rëndësishëm por qëllimi final është unifikimi i doganave.
“Është një moment i rëndësishëm sepse ua lehtësojmë në mënyrë të konsiderueshme kalimin në këtë pikë, dhe i japim një shtysë të mëtejshme jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve pa harruar edhe zhvillimin e turizmit. Në këtë pikë kufitare kanë lëvizur mbi 770 mijë shtetas dhe mbi 300 mijë mjete”, u shpreh Rama.
Ndërkaq, vendimi për të patur një kontroll të përbashkët kufitar në pikën doganore në Qafë-Thanë u miratua në mbledhjen e dy qeverive e cila u mbajt më 14 nëntor 2022.
