Tregu i ndërtimit e mbylli vitin 2025 me 1,158 leje të reja ndërtimi dhe afro 74 miliardë lekë vlerë investimesh të miratuara, por INSTAT paralajmëron se të dhënat e fundit nuk janë të standardizuara dhe nuk mund të krahasohen me një vit më parë.
Sipas publikimit zyrtar të INSTAT për “Lejet e ndërtimit, Tremujori IV 2025”, gjatë gjithë vitit 2025 janë miratuar gjithsej 1.158 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe totale 1.304.606 m² dhe me një vlerë të përafërt prej 73,9 miliardë lekësh për ndërtesa dhe punime inxhinierike.
Ndërtimet për banim dominojnë tregun, me 890 leje dhe 844.791 m² sipërfaqe, ndërsa ndërtesat jo-rezidente – si hotele, ndërtesa tregtare dhe industriale – përbëjnë 268 leje me 459.815 m². Kjo strukturë konfirmon peshën e lartë që vijon të ketë segmenti rezidencial në ciklin aktual të investimeve në ndërtim.
Megjithatë, në hyrje të publikimit për tremujorin e katërt 2025, INSTAT thekson qartë se statistikat mbështeten aktualisht vetëm në të dhënat e siguruara nga bashkitë, ndërkohë që procesi i miratimit të lejeve përfshin edhe institucione të tjera përgjegjëse. Për shkak se “ende nuk ka një raportim të standardizuar dhe të plotë nga të gjitha këto ente pranë INSTAT”, të dhënat e publikuara për T4 2025 bazohen vetëm në burimet bashkiake dhe “nuk mund të krahasohen me të dhënat e tremujorit të katërt 2024”.
Instituti nënvizon se po punon për përfshirjen e të gjitha institucioneve përgjegjëse në një proces të unifikuar raportimi statistikor, çka do të mundësonte në të ardhmen seri më të plota dhe të krahasueshme të të dhënave. Po ashtu, statistikat për T4 2025 janë cilësuar paraprake, për shkak të mosraportimit nga të gjitha bashkitë.
Vetëm në tremujorin e katërt 2025 janë miratuar 259 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe 340.477 m² dhe me një vlerë të përafërt projektesh prej 19,4 miliardë lekësh . Edhe në këtë periudhë, ndërtimet për banim zënë pjesën dërrmuese, me 200 leje dhe 237.132 m², ndërsa 59 leje i përkasin ndërtesave jo-rezidente.
Në plan metodologjik, INSTAT sqaron se “Lejet e ndërtimit” është një publikim tremujor që paraqet një tregues afatshkurtër për zhvillimin e sektorit të ndërtimit në periudhën pasardhëse, bazuar në të dhëna administrative të grumbulluara nga zyrat statistikore rajonale në bashkëpunim me bashkitë.
Në këtë kontekst, ndërsa vëllimi i lejeve dhe vlera e investimeve për vitin 2025 konfirmojnë vijimësinë e aktivitetit të lartë në ndërtim, paralajmërimi i INSTAT për mungesën e standardizimit dhe për karakterin paraprak të të dhënave mbetet një element kyç për çdo analizë krahasuese apo interpretim të thelluar të trendit. /ekofin.al
